Kombëtarja e Shqipërisë po i vazhdon përgatitjet para ndeshjes së parë kualifikuese në kuadër të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” kundër Polonisë.
Në konferencën e sotme për media u paraqit lojtari me formën më të mirë nga skuadra shqiptare, Myrto Uzuni, i cili foli për objektivat në ndeshjen ndaj Polonisë.
Deri tani, Uzuni ka shënuar 20 gola me kombëtaren shqiptare, dhe dëshiron që këtë bilanc ta përmirësoj me gol kundër Polonisë.
Uzuni tregoi se ndihet më mirë si qendërsulmues, dhe se golat nuk do ndalen nga ana e tij.
“Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me kaq. Sa i përket Kombëtares jam shumë i lumtur që jam ftuar. Të përfaqësosh vendin, familjen, kombin, është gjëja më e madhe për një futbollist. Sa i përket pozicionit në fushë, ndihem më mirë tani, pasi shënoj gola dhe i shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia. Ndihem më mirë si qendërsulmues”, tha Uzuni.
Më tej, sulmuesi i Granadas foli edhe për prurjet e reja në grumbullimin e Shqipërisë dhe atmosferën që po mbretëron te “kuqezinjtë”.
“Ndryshime në futboll duhen dhe jam shumë i lumtur për ndryshimin që është bërë në ekipin kombëtar. Është një frymë e re, mentalitet i ri. Uroj të arrijmë rezultatet pozitive sepse prandaj jemi thirrur. Sa i përket lojtarëve të rinj i uroj mirëseardhjen dhe t’i afrojmë sa më shpejt që të adaptohen me ne dhe të japin maksimumin”, tha Uzuni.
Uzuni foli edhe për trajnerin e ri Sylvinhon dhe se çka e dallon atë nga ish-trajneri, Edoardo Reja.
“Kam pasur edhe komunikime të mëparshme me trajnerin. Kur erdha këtu ia urova sërish mirëseardhjen dhe trajneri ka shumë besim te unë dhe shpresoj t’ia shpërblej. Mendoj që ndryshojnë te mentaliteti. Por, siç e thashë edhe më parë, koha do të tregojë gjithçka, koha është treguesi më i mirë”, tha Uzuni.
Po ashtu, Uzuni tregoi edhe objektivat e skuadrës për ndeshjen ndaj Polonisë, në të cilën ai tha se dëshiron që të shënojë gol.
“Siç e shikoj unë tani mendoj se do të luajmë një lojë më shumë ofensive. Për këtë gjë duhet të pyesni trajnerin, por me sa nuhas unë trajneri do të bëjë një lojë më shumë sulmuese. Kur futem në fushë, gjithmonë futem me mendimin që dua të shënoj pasi siç e thashë edhe më parë, kjo është gjëja që bëj më së miri. Dhe këtë dua të bëj në Varshavë”, tha Uzuni.
Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë ndeshjen kundër Polonisë si mysafire më 27 mars në Varshavë.