Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi një konferencë ku u diskutua mbi zhvillimet e gazetarisë në kohën moderne dhe sfidat me të cilat përballen mediat sot.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike dhe profesionistë të medias, të cilët në një panel diskutimi trajtuan tema që lidhen me dezinformimin, ndikimin e inteligjencës artificiale, pavarësinë e mediave dhe përgjegjësinë e gazetarëve në epokën digjitale.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, duke uruar këtë ditë, theksoi rëndësinë e medias si sektor kyç në shoqëri.
“Me lejoni që në emër të UBT-së t’ju uroj Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Mediat janë një sektor i rëndësishëm dhe fakti që sot funksionojnë në formate të ndryshme tregon se ende ka shumë punë për t’u bërë”, tha ai.
Ai shtoi se hapja e Fakultetit të Medias në UBT ka ardhur si përgjigje ndaj nevojës për gazetarë cilësorë në vend. Sipas tij, një nga sfidat kryesore mbetet verifikimi i burimeve dhe saktësia e informacionit, sidomos në një kohë kur dezinformatat janë në rritje dhe teknologjitë si inteligjenca artificiale po ndikojnë fuqishëm në përhapjen e informacionit.
Hajrizi vlerësoi se sistemi mediatik në Kosovë është ende në tranzicion dhe kërkon qartësim më të madh të rolit të mediave private për të garantuar pavarësinë e gazetarëve.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, u ndal te balanca mes lirisë së shprehjes dhe kufizimeve të saj.
“Liria e shprehjes dhe informimit duhet të jetë sa më e gjerë, por kufijtë bëhen të domosdoshëm kur cenohet liria e të tjerëve”, u shpreh ai.
Selimi theksoi se mediat ndodhen në një paradoks, pasi nga njëra anë gëzojnë liri, ndërsa nga ana tjetër përballen me forma të ndryshme kontrolli. Ai paralajmëroi se dezinformimi është kthyer në një ndër kërcënimet kryesore për të drejtën e informimit, duke relativizuar të vërtetën dhe duke krijuar një ambient të pasigurt për publikun. Sipas tij, megjithëse gazetaria e pavarur përballet me sfida financiare, format alternative të financimit mund të ofrojnë mundësi për përmirësim.
Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Naile Selmani theksoi rëndësinë e edukimit medial si mënyra më efektive për të luftuar dezinformimin.
“Mënyra e vetme për ta luftuar këtë mjegull totale është të jemi të edukuar në aspektin medial”, tha ajo.
Selmani nënvizoi se burimi i informacionit është kyç për të shmangur lajmet e rreme, veçanërisht në kohën e inteligjencës artificiale, kur manipulimet janë bërë më të sofistikuara.
Ndërkaq, profesori Musa Sabedini, pjesë e Fakultetit Media dhe Komunikim, gjatë diskutimit në panel foli për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballen sot gazetarët.
Ai theksoi se, pavarësisht këtyre sfidave, gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në trajtimin e temave që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e shoqërisë dhe në informimin e drejtë të publikut.
Ndërkaq, gazetarja e Deutsche Welle, Vjosa Qerkini, foli për përgjegjësinë profesionale të gazetarëve në epokën digjitale.
“Një gazetar, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë, nëse dëshiron të jetë i respektuar në profesionin e tij, duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo postim në rrjetet sociale mund të ketë pasoja në të ardhmen”, theksoi ajo.
Sipas Qerkinit, gazetaria kërkon përkushtim të vazhdueshëm, duke filluar nga përzgjedhja e temave e deri te mënyra e raportimit, ndërsa përmbledhja e informacionit në kohë të shkurtër nuk duhet të vijë në dëm të profesionalizmit.
Konferenca u vlerësua si një platformë e rëndësishme për diskutim dhe reflektim mbi të ardhmen e gazetarisë, në një kohë kur mediat vazhdojnë të mbeten kanali kryesor i informimit për publikun.
