Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr”, i bazuar në librin me të njëjtin titull, do të shfaqet më 22 shtator në Kino ARMATA në Prishtinë dhe më 23 shtator në Dokukino në Prizren.
Shfaqjet do të mbahen në orën 17:30, 18:00 dhe 18:30, ndërsa hyrja është falas. Për shkak të kërkesës së madhe, pjesëmarrësit duhet të rezervojnë biletat paraprakisht.
Filmi, i cili zgjat 10 minuta, sjell në ekran bukuritë natyrore të Kosovës dhe e përdor natyrën si hapësirë për bashkim dhe mirëkuptim mes komuniteteve.
Në qendër të tregimit janë Uta dhe Deltari, të cilët udhëtojnë nëpër malet e Sharrit, duke i ftuar fëmijët të zbulojnë këtë botë së bashku, pavarësisht komunitetit nga i cili vijnë.
Animacioni është realizuar nga Anibar Studios, ndërsa skenari dhe tregimi janë të Tuba Safçiut. Kënga “Uta në Sharr” është kompozuar, shkruar, interpretuar dhe prodhuar nga Arbër Salihu (La Fazani), me vokal nga Lisa Zuka.
Projekti është pjesë e nismës “Uta në Sharr – Edukim Gjithëpërfshirës dhe Ndërgjegjësim Mjedisor përmes Tregimit të Historive, Animacionit dhe Mësimit në Natyrë”, e financuar nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe e zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova/o.
Nisma po zbatohet në 12 komuna të Kosovës dhe synon të promovojë edukimin gjithëpërfshirës, ndërgjegjësimin mjedisor dhe tregimin e historive për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitete të ndryshme./A.K/
