Të paktën 30 mijë e 500 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani gjatë luftës në Ukrainë, pretendoi ushtria ukrainase të martën.
Rreth 150 trupa ruse janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit, sipas një deklarate nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.
Shtabi gjithashtu tha se forcat ukrainase kanë shkatërruar 208 aeroplanë rusë, 174 helikopterë, një mijë e 358 tanke, tre mijë e 302 automjete të blinduara, 649 artileri, 207 raketahedhës dhe 93 sisteme të mbrojtjes ajrore që nga fillimi i luftës.
Rusia ka humbur gjithashtu dy mijë e 275 automjete, 13 anije dhe varka të lehta, dhe 515 mjete ajrore pa pilot, së bashku me 120 raketa lundrimi, shtohet në deklaratë.
Shifrat ruse për ushtarët e saj të vrarë kanë qenë shumë më të ulëta se shifrat ukrainase.
Të paktën katër mijë e 74 civilë janë vrarë dhe katër mijë e 826 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së. Shifra e vërtetë besohet të jetë shumë më e madhe.
Mbi 6,7 milionë njerëz janë larguar në vende të tjera, ndërsa më shumë se 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët. /UBTNews/