UBT News

Ushtria izrealite vret tre palestinezë në Jenin

Tre palestinezë u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën sot gjatë një sulmi të ushtrisë izraelite në Jenin, një bastion i fraksioneve të armatosura palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Tre burrat u vranë kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj një automjeti në të cilin po udhëtonin, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.

“Përleshje të ashpra” pasuan më pas në zonë, me trupat izraelite që qëlluan mbi palestinezët, duke plagosur 10, raportoi Wafa.

Një fotograf i AFP-së tha se një automjet i bardhë i mbushur me vrima plumbash ishte në zonë, ku forcat izraelite kanë shtuar operacionet muajt e fundit.

Fotografi tha se pa trupat e tre burrave në morgun në Jenin. Ata u identifikuan si Yusef Salah, 23 vjeç, Baraa Lahluh, 24 vjeç dhe Laith Abu Srur, 24 vjeç.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se trupat e saj kishin kryer një operacion në Jenin për të kërkuar armë në dy vende të ndryshme.

Kujtojmë se gazetarja palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh, një reportere e shquar televizive e Al Jazeeras, u qëllua për vdekje muajin e kaluar në Jenin, ndërsa po mbulonte një operacion të ushtrisë izraelite./UBTNews/

Exit mobile version