UBT News

Ushtria e SHBA-së kryen sulme të reja ndaj Iranit

Ushtria amerikane njoftoi se ka ndërmarrë një rund tjetër sulmesh ndaj Iranit për të “dëmtuar më tej” aftësitë e tij për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Këto goditje – që shënojnë natën e dhjetë rresht të sulmeve – vijnë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua të ndëshkojë Iranin për vrasjen e ushtarëve amerikanë.

Si përgjigje, Irani deklaroi se ka goditur dy anije nafte në këtë kalim detar, si dhe asete ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se Irani tashmë po përballet me një “luftë të plotë” me SHBA-në. Më herët, Trump kishte deklaruar se Irani u godit “shumë fuqishëm” gjatë natës paraprake “në nderim” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë së fundmi – dy në Jordani dhe një në Irak.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet e saj më të fundit goditën “qendra të komandës ushtarake iraniane, kapacitete detare, vende të lëshimit të raketa e dronëve, si dhe sistema të mbrojtjes ajrore”.

Shpërthime u raportuan pranë qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku mediat shtetërore thanë se një person mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën, si dhe në portet e Gjirit Persik në Bandar Mahshahr, Bandar Imam Khomeini, Chabahar dhe Konarak.

Pavarësisht kësaj, CENTCOM këmbënguli se anijet tregtare po vazhdojnë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Nga ana tjetër, Irani pretendoi se forcat e tij goditën dy anije nafte që po tentonin të kalonin përmes asaj që e quajti “rrugë e pasigurt dhe e rrezikshme jugore” e ngushticës, me ekipet e shpëtimit që po evakuonin ekuipazhet e tyre.

Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftoi se një anije nafte në Ngushticën e Hormuzit kishte raportuar se u godit nga një projektil i panjohur, gjë që e detyroi ekuipazhin të braktiste anijen dhe të hipte në një varkë shpëtimi. Nuk është e qartë nëse kjo anije ishte mes atyre të përmendura nga Irani.

Gjithashtu, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pretendoi se ka goditur një qendër të të dhënave të kompanisë amerikane Amazon në Bahrein. Agjencia IRNA raportoi se IRGC “sulmoi dhe shkatërroi infrastrukturën qendrore të të dhënave të kompanisë Amazon me disa raketa me krahë”.

Jordanitë njoftuan se kishin penguar pesë dronë, pasi më parë kishte rrëzuar tre raketa. Bahreini bëri me dije se dronët iranianë kishin synuar sistemet e tij të navigimit ajror, por trafiku nuk u ndikua. Gjithashtu, forcat e armatosura të Kuvajtit njoftuan se kishin penguar dronë iranianë.

Pavarësisht përshkallëzimit, Teherani bëri të ditur se mesazhet diplomatike po vazhdojnë të shkëmbehen mes dy palëve përmes ndërmjetësve.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së konfirmoi identitetin e dy ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë fundjavës në bazën Muwaffaq Salti në Jordani: ushtarja Isabella Gonzales, 19 vjeç nga Teksasi, dhe lejtanti Tyler James Feehan, 25 vjeç nga Havai. CENTCOM tha se një pjesëtar i tretë i shërbimit u deklarua fillimisht i humbur, por mbetjet e tij u gjetën më vonë në zonë. /BBC/

Exit mobile version