UBT News

Ushtria e Kosovës në Gaza, Maqedonci: Flamuri ynë do të valojë për paqe

Kosova po bën një hap gjigant që do të mbetet gjatë në historinë tonë ushtarake dhe diplomatike. Në një bisedë në Podcastin e UBT-së, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zbuluar detajet e misionit të ardhshëm të FSK-së në Gaza. Ai tregoi se institucionet janë në fazën e fundit të përgatitjeve për të dërguar kontingjentin e parë prej 22 ushtarësh në këtë zonë të krizës globale.

Ky mision ka një peshë të jashtëzakonshme politike për shtetin tonë. Për herë të parë, ushtria e Kosovës do të marrë pjesë në një operacion të mandatuar drejtpërdrejt nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate. Sipas ministrit, kjo dëshmon se aleatët tanë të mëdhenj, me në krye SHBA-në, po na trajtojnë si të barabartë në tavolinat ku vendoset për paqen botërore.

“Misioni në Gaza ka një veçanti, sepse është misioni i parë ku Kosova marrin pjesë në kuadër të një operacioni të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ne po bëhemi nga një importues i sigurisë në eksportues të sigurisë. Një vend që dikur kishte nevojë për siguri, sot po i kërkohen ushtarët për të kontribuar për paqe”, u shpreh ministri Maqedonci për UBT News.

Kontingjenti ushtarak i FSK-së është i kombinuar dhe i përbërë nga profesionistë të fushave më të rrezikshme. Në këtë grup do të dominojë fusha e deminimit dhe largimit të mjeteve të pashpërthyera, por pjesë e tij do të jenë edhe oficerë të operacioneve speciale që do të vendosen në shtabin qendror të forcës ndërkombëtare stabilizuese. Po ashtu, pjesë e ekipit do të jenë edhe mjekë ushtarakë dhe oficerë planifikues, të cilët do të ofrojnë ndihmë humanitare për qytetarët atje dhe do të punojnë për vendosjen e një paqeje afatgjatë.

Ky prezantim ndërkombëtar shihet si goditja më e mirë ndaj propagandës së Serbisë, e cila tenton ta paraqesë Kosovën si faktor destabilizues në rajon. Ministri kujtoi se si në vitin 2021, kur FSK-ja shërbeu në Kuvajt, flamuri i Kosovës valoi për një vit rresht para syve të shumë shteteve që ende nuk na kanë njohur zyrtarisht. Ai theksoi se misioni i ri në Gaza do të ketë të njëjtin efekt të fuqishëm diplomatik.

“Ne po përcjellim mesazh te vendet mosnjohëse se njohja e Kosovës nënkupton edhe njohjen e kontributit të saj për paqe dhe siguri. Kjo e forcon pozitën tonë ndërkombëtarisht”, potencoi në fund Ministri i Mbrojtjes. /E.A/

 

Exit mobile version