Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka ka thënë se xhudo po lë gjurmë të pashlyeshme me punën e saj, ndërsa do të vazhdohet edhe më tutje me certifikimin e ushtarëve të tjerë.
“Sot kemi kënaqësinë dhe privilegjin që në kuadër të programit “Kosova shtet i xhudos”, t’i certifikojmë edhe ne ushtarët e parë, por jo të fundit të ushtrisë sonë të lavdishme. Ne si sport i xhudos bëjmë hapa të lehtë, por ngado që shkelim, lëmë gjurmë të pashlyera dhe kjo sot, jam i bindur që do të mbetet gjurmë e përhershme”, tha Kuka.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky certifikim i ushtarëve të FSK-së është fryt i bashkëpunimit institucional dhe se kjo do t’i forcojë edhe më tutje djemt dhe vajzat e ushtrisë së Kosovës.
“Përmes programit “Kosova shtet i xhudos”, përveç që po sigurojmë ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve tanë, tashmë po shohim edhe frytet e para të ndërveprimit institucional me sigurinë dhe mbrojtjen. Përderisa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mundësinë të përgatitet nga kampionët e botës, njëkohësisht xhudistët tanë tani kanë mundësinë të jenë pjesë e forcës që i shërben popullit dhe shtetit. Forcës e cila është shtyllë e sigurisë në Kosovë dhe shtyllë e paqes në rajon…Ndërlidhja e sportit të xhudos me ushtrinë është një hap tjetër tutje për fuqizimin e djemve dhe vajzave tona në uniformë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa trajneri Driton Kuka tha se ishte tejet i mahnitur me përkushtimin e ushtarëve të FSK-së për të mësuar teknikat e xhudos gjatë katër javëve stërvitjeje dhe se një punë e tillë do të vazhdojë edhe më tutje me FSK-në dhe Policinë e Kosovës.
“Xhudo përveç se është emblemë e sukseseve të shtetit tonë të Kosovës, por edhe mbarë popullit shqiptar, po shkon përtej asaj, ashtu siç e tha edhe kryeministri Kurti, që xhudo nuk është vetëm sport, xhudo është një ndër shtyllat kryesore të organizimit dhe forcimit te ushtrimeve të mbarë botës, e tani e tutje edhe të ushtrisë sonë. Kam qenë shumë i kënaqur me dy trajnimet dy javore, në total katër javë me ushtarët e litarë të cilët më kanë befasuar me përkushtim, atdhedashuri dhe dëshirë të madhe për t’u aftësuar…Xhudo si sport me suksese në rrafshin sportiv, do të jetë pjesë e pandashme e ushtrimeve të përbashkëta të njësive elitare të FSK-së, pro edhe të policisë sepse dua unë, por do edhe gjitha populli shqiptar që ushtrinë dhe policinë tonë t’i shohë në nivele çfarë kanë arritur sportistet tona”, ka thënë Kuka.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe Ministri i Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ministri i Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.