UBT News

Ushqimet që ju ndihmojnë të mbani trupin në formë gjatë stinës së verës

Në stinën e verës, dieta duhet të jetë e kufizuar në proteina pasi ato rrisin nxehtësinë që çlirohet nga trupi gjatë tretjes dhe vështirëson përballjen me temperaturat e larta. Për këtë rekomandohet te konsumoni më pak mish gjatë kësaj stine dhe të zëvendësoni proteinat shtazore me ato bimore.

Të hash më pak gjatë verës vjen natyrshëm dhe madje pa u ndjerë të privuar. Duke ndjekur këshillat e dietologëve do të siguroni një ushqim qe ju ofron fibra bimore, kalcium dhe lëndë ushqyese të rëndësishme. Fibrat bimore ndihmojnë në uljen në peshë sepse na “kënaqin stomakun” duke dhënë ndjesinë e ngopjes më gjatë. Ato ndihmojnë edhe në metabolizmin e sheqerit duke parandaluar nepsin për ushqime kalorike. Frutat dhe zarzavatet e verës kanë veti të tjera për të cilat mund të mos jeni në dijeni. P.sh. fitokimikatet dhe antioksidantët që përmbahen në disa fruta sidomos me ngjyrë të kuqe dhe vishnje, luajnë rol të rëndësishëm kundër plakjes, kundër kancerit dhe hemorragjisë cerebrale, përmirësojnë tensionin arterial dhe mbrojnë zemrën tonë. Përveç kësaj, na ndihmojnë të ngushtojmë rripin e mesit pasi janë aleatë shumë të rëndësishëm në përpjekjen për të rënë nga pesha.

Dieta

Ndaj dhe për të dobësuar, duhet filluar dieta verore me këto ushqime. Së pari, domate dhe speca të kuq për vitaminën A, vitaminën C dhe likopen -një antioksidant i rrallë. Këto ushqime hyjnë në familjen e frutave edhe pse ne i njohim si zarzavate. Domatet dhe specat janë ushqime nga më të pasurat në vitaminë C e cila luan rol kyç në mbrojtjen e lëkurës tonë pasi është përbërës kryesor në formimin e kolagjenit. Një domate ka vetëm 35 kalori ndërkohë që ju ofron 40% të nevojës ditore të vitaminës C dhe 20% të vitaminës A. Konsumi i shpeshtë i saj parandalon kancerin e prostatës dhe të tumoreve të aparatit tretës si dhe pengon oksidimin e kolesterolit të keq duke mbrojtur në këtë mënyrë zemrën tonë. Për të marrë maksimumin e domateve bëjini salcë dhe shtojini pak vaj ulliri dhe rigon. Vetëm me gjysmë kupe specat e kuq ofrojnë 240% të nevojës ditore për vitaminën C. Ushqimi më i rëndësishëm për të gjithë duhanpirësit të cilët kanë nevoja të rritura për vitaminë C pasi pirja e duhanit e ul nivelin e vitaminës C në organizëm.

Manat dhe frutat e pyllit

Asgjë nuk është me verore sesa ylberi i frutave të pyllit që i bën raftet e tregjeve të fruta-perimeve më tërheqëse dhe të bukura se çdo raft tjetër. Boronicat kanë forcën më të madhe kundër plakjes, ato si dhe gjithë frutat e tjera të kësaj familje përmbajnë substanca të cilat çaktivizojnë substanca kancerogjene të caktuara, si dhe ngadalësojnë riprodhimin e qelizave kanceroze. Boronicat ndihmojnë edhe në forcimin e memories, kurse thanat janë ilaç i mrekullueshëm në trajtimin e infeksioneve të kanaleve urinare. Frutat e pyllit shijohen shumë siç janë por mund të konsumohen edhe në forma të tjera, si p.sh në salca të ndryshme të cilat u japin një vlerë të veçantë sallatave apo pjatave kryesore si mishit.

Kos me pilaf

Një kombinim tradicional shqiptar, i shkëlqyer për darkat e verës! Orizi është një ushqim i lehtë dhe shume miqësor për aparatin tonë tretës. Ai na jep energji duke mos e rënduar tretjen. Në kombinim me kosin realizojmë një vakt të kompletuar në proteina dhe 30% të nevojave ditore në kalcium. Nëse orizin e zgjidhni integral do t’ia shtoni shumë vlerat pjatës suaj.

Këshillë

Kosi më i mirë është ai që bëhet vetë me farë shtëpie, nga qumësht të cilit i është hequr ajka. Për të provuar nëse kosi që blini është i pasur në fermente të nevojshëm dhe shumë të dobishëm për aparatin tretës.

Proteina të lehta

Në stinën e verës dieta duhet të jetë e kufizuar në proteina pasi ato rrisin nxehtësinë që çlirohet nga trupi gjatë tretjes dhe vështirëson përballjen me temperaturat e lartë. Për këtë rekomandohet të konsumoni me pak mish gjatë kësaj stine dhe të zëvendësoni proteinat shtazore me ato bimore siç janë fasulet. Fasulet vijnë në një paketë shumë të mirë ushqimore pasi vetëm një kupë prej tyre na jep njësoj proteina si 120 gr mish por, njëkohësisht na pasuron me fibra të bollshme dhe minerale të domosdoshëm si hekuri. Një pjatë fasule, peshk ton dhe misra do të përbënte një zgjedhje optimale për një drekë vere, të shoqëruar me sallatë greke dhe 2 feta buke të zezë. Në këtë mënyrë do të kontrolloni kaloritë duke përmbushur të gjitha kërkesat e organizmit.

Borzilok për makaronat, kopër për peshkun

Dy erëzat që ju sigurojnë funksion optimal të metabolizmit janë borziloku dhe kopra, pa përjashtuar këtu edhe të gjitha erëzat e tjera të çmuar si rozmarina, rigoni, nenexhiku dhe sherebela. Spageti me “pesto genoveze” dhe “kocë me salcë kopre” mund të jenë zgjedhjet tuaja për drekën, të shoqëruara gjithmonë nga një sallatë e bollshme. Erëzat mund t’ju ndihmojnë të bëni çajrat tuaj të ftohta duke i kombinuar vetëm me ujë natyral ose të gazuar, limon dhe akuj.

Ujë

Është pikërisht uji që nuk vjen në shishe plastike por në paketimin më të shëndetshëm, atë të kastravecit dhe shalqirit. Këta dy fruta janë 90% ujë dhe vijnë në këtë stinë enkas për nevojat specifike që organizmi ynë ka.

Mes-vakte

Kikirikët në lëvoren e tyre janë zgjedhje jo vetëm e shëndetshme por dhe e sigurt. Farat e lulediellit janë burim i shkëlqyeshëm i vitaminës E, por ju këshilloj t’i piqni dhe t’i përgatisni vetë për të qenë edhe të sigurt. Kokoshkat gjithashtu janë një variant i shëndetshëm i vakteve të ndërmjetme por është e këshillueshme t’i përgatisni vetë pasi të gatshmet përmbajnë sasi të mëdha kripe dhe vaj të një cilësie të ulët.

Këshilla

Kur t’ju shkoj mendja për akullore kini parasysh një parim: jo më shumë se një akullore në dy ditë! Akullorja mund të jetë një ushqim sa i ushqyeshëm aq edhe i dëmshëm. Kjo për faktin që gjithçka varet nga lënda e parë që përdoret e cila mund të jetë nga cilësia më e lartë deri në cilësinë më të ulet duke përmendur këtu ngjyrosësit, konservantët, shurupet dhe esencat artificiale, yndyrat e ngopura dhe sherbetin e misrit shumë të pasur në fruktozë. Një akullore mund të përmbajë nga 300 deri në 1000 kalori në varësi të përbërësve që ka. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që duhet të privoheni nga ky ushqim kaq i shijshëm dhe tundues. Nëse mendoni që akullorja që po zgjidhni i përmbush kriteret e sigurisë ushqimore, që do të thotë datë skadence dhe zinxhir i pandërprerë ftohjeje atëherë shijojeni dhe lejoni të kalojnë disa ditë të paktën deri te tjetra.

Rregulla që nuk duhet të harroni:

  • Kudo që të ndodheni, mos anashkaloni mëngjesin
  • Konsumoni fruta me përmbajtje të lartë uji gjatë ditës
  • Pini 8-10 gota ujë në ditë
  • Evitoni alkoolin gjatë ditës dhe kur të pini pije alkoolike mos harroni t’i shoqëroni me ujë
  • Mos ngarkoni pjatat me proteina shtazore si mishi, djathi, veza dhe me yndyrë të tepruar
  • Evitoni të skuqurat dhe preferoni ushqime që nuk kanë nevojë për shumë gatim
  • Në ditët e nxehta mos planifikoni lëvizje pas vaktit të ushqimit dhe evitoni alkoolin
  • Evitoni ushqimet pikante në kohë të nxehtë
  • Pijet shumë të ftohta dhe shumë të nxehta nuk janë të preferueshme në kohë të nxehtë
  • Nëse kërkoni të rrëzoni peshë përpiquni të vendosni në çdo vakt zarzavate dhe proteina pa yndyrë si gjiza, fasulet, peshku dhe arrat dhe zbatoni regjimin e të ngrënit çdo 3 orë duke nisur me mëngjesin

Exit mobile version