UBT News

Ursula von der Leyen të enjten viziton Prishtinën në kuadër të turneut në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë të enjten, më 1 tetor 2026. Sipas agjendës së bërë publike, ajo do të pritet në takime të ndara nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

Kjo vizitë në Kosovë zhvillohet në kuadër të një turneu më të gjerë diplomati në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Udhëtimi i krerëve të KE-së nis të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë, ku von der Leyen do të takojë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrin Edi Rama.

Pas Prishtinës, po më 1 tetor, Presidentja e Komisionit Europian do të udhëtojë drejt Podgoricës për t’u takuar me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Turneu rajonal do të përmbyllet më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut, me takime zyrtare me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Në agjendën e këtij turneu rajonal nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo shmangie lidhet me zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbhen në këto dy shtete gjatë muajit tetor — përkatësisht më 4 tetor në Bosnje e Hercegovinë dhe më 25 tetor në Serbi. Praktika e zyrtarëve europianë mbetet shmangia e vizitave zyrtare në prag të proceseve zgjedhore për të garantuar paanshmërinë dhe mosndikimin në fushatë.

Së fundmi, Presidentja e Komisionit Europian kishte reaguar ashpër ndaj organizimit të funeralit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, i cili u mbajt më 8 shtator në Beograd. Përmes një postimi në platformën “X”, von der Leyen i pati cilësuar ato pamje si tronditëse, duke rikujtuar se Mlladiq ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime guerre dhe krime kundër njerëzimit. /E.A/

 

Exit mobile version