Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot në Kosovë, në kuadër të turneut të saj zyrtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, shefja e ekzekutivit të BE-së do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit:
Në orën 12:30 pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ndërsa gjysme ore më vonë do të zhvilloj një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Pas përfundimit të takimit me kryeministrin Kurti, është paralajmëruar edhe mbajtja e një konference të përbashkët për media.
Von der Leyen e nisi vizitën e saj rajonale të mërkurën nga Tirana, ku u takua me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Menjëherë pas Kosovës, po gjatë ditës së enjte, ajo do të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa më 2 tetor do të qëndrojë në Shkup.
Në këtë agjendë zyrtare bien në sy dy mungesa: Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Ndërsa zyrtarisht është deklaruar se mënjanimi i Beogradit dhe Sarajevës lidhet me fushatat zgjedhore që po zhvillohen në këto dy vende, burime nga BE-ja bëjnë të ditur se në këtë vendim ka ndikuar edhe glorifikimi i fundit i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Gjatë këtij udhëtimi, presidentja e Komisionit Evropian pritet të rikonfirmojë mbështetjen e fuqishme të BE-së për procesin e zgjerimit dhe përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit evropian. /E.A/
