Universiteti i Kembrixhit në Britani të Madhe ka pezulluar një marrëveshje rekord prej 400 milionë funtash me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) lidhur me supozimet se këta të fundit kanë përdorur softuerin e spiunazhit ‘Pegasus’, shkroi të enjten “The Guardian”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendimi u bë publik nga Stephen Toope, zv/rektori në largim i universitetit.
Që në korrik, marrëveshja e propozuar u vlerësua si një “partneritet strategjik” i mundshëm që synon të ndihmojë në zgjidhjen e “disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet planeti ynë”. Duke përfshirë edhe një donacion prej mbi 310 milionë funta gjatë një dekade, ky do të kishte qenë donacioni më i madh i këtij lloji për universitetin.
Kjo tani është anuluar për shkak të përdorimit të supozuar të EBA-së të softuerit të spiunazhit për hakimin e telefonëve ‘Pegasus’ të zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group. “The Guardian” pretendon se shumë nga numrat e telefonit në Britani të shënjestruar nga softueri i spiunazhit ishin me urdhër të EBA-së. NSO Group ka mohuar çdo shkelje.
Në një intervistë për gazetën studentore “Varsity”, Toope tha: “Kishte zbulime të tjera në lidhje me ‘Pegasus’ që me të vërtetë na detyruan të vendosim se nuk është koha e duhur për të ndjekur këto lloje të planeve vërtet ambicioze me EBA-në”.
“Askush nuk do të nxitojë. Nuk do të ketë marrëveshje të fshehta. Mendoj se do të kemi një diskutim të fortë në një moment në të ardhmen. Ose mund të përcaktojmë se nuk ia vlen të lidhemi përsëri. Sinqerisht nuk e di”, tha ai.
“Ka marrëdhënie ekzistuese në të gjithë universitetin në një nivel akademik departamentesh dhe individual, por nuk ka biseda për një projekt të madh. Jemi të vetëdijshëm për rreziqet në marrëdhëniet me shumë shtete në të gjithë botën, por mendojmë se ia vlen të bisedojmë”, tha Toope.
“Varsity” ndërkohë raportoi se marrëveshja ka për qëllim të përmirësojë sistemin arsimor në EBA dhe të punojë në çështjet e tranzicionit të klimës dhe energjisë, duke shtuar se do të ishte përqendruar në shkëmbimin e kulturave islame dhe perëndimore.
Zëdhënësi i universitetit u citua nga “The Guardian” të thoshte se: “Universiteti i Kembrixhit ka partneritete të shumta me qeveritë dhe organizatat në të gjithë botën. Ajo iu afrua EBA-së siç bën me të gjitha partneritetet e mundshme: me një mendje të hapur dhe duke peshuar në mënyrë rigoroze mundësitë për të kontribuar në shoqëri, përmes kërkimit bashkëpunues, arsimit dhe inovacionit, kundër çdo sfide”.
“Ne do të reflektojmë gjatë muajve të ardhshëm para se të vlerësojmë më tej opsionet tona afatgjata me partnerët tanë dhe me komunitetin universitar”, shtoi ai.