Së paku 13 universitete britanike kanë diskutuar me prodhuesin më të madh të armëve në Mbretërinë e Bashkuar, BAE Systems, se si t’i menaxhojnë protestat pro-palestineze në kampuset e tyre. Kjo përfshinte rritjen e masave të sigurisë në ngjarje zyrtare dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj kritikave.
Korrespondenca mes universiteteve dhe kompanisë ushtarake u zbulua përmes email-eve dhe dokumenteve të brendshme nga një hetim i përbashkët i “Liberty Investigates” dhe “Al Jazeera”.
Sipas dokumenteve, universitete të tilla si ai i Manchesterit, Nottinghamit, Southamptonit, Birminghamit, Strathclyde dhe Cranfield konsiderohen “partnerë strategjikë” të BAE Systems dhe marrin së bashku deri në 15 milionë funte (rreth 20 milionë dollarë) në vit nga kjo kompani.
Në gusht të vitit 2024, BAE Systems duket se u ka kërkuar universiteteve të hartojnë mesazhe për të kundërshtuar atë që e quante “një narrativë shpesh të deformuar nga protestuesit”. Kjo periudhë përkonte me reagimet e mëdha studentore kundër bashkëpunimit me kompanitë që furnizojnë me armë ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gazë.
Në një rast në Universitetin e Sheffieldit, zyrtarët e hetimit të brendshëm u konsultuan me BAE Systems përpara se të dënonin katër studentë që protestuan në një ngjarje online me slloganet “BAE vret fëmijë”. Studentëve u kërkua të paguanin një gjobë prej 75 funtesh ose të nënshkruanin një zotim se nuk do të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.
Ndërsa studentët e ndëshkuar e cilësuan këtë si ndikim të drejtpërdrejtë të kompanisë së armëve mbi drejtuesit e universitetit, zëdhënësi i Universitetit të Sheffieldit i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se procedurat disiplinore janë të pavarura dhe bazohen vetëm në rregulloren e sjelljes së studentëve. /Al Jazzera/
