Edin Dzeko i Romës sërish ka realizuar gol në stadiumin “Old Trafford”, por ka qenë Manchester Unitedi që fitoi me rikthim dhe është me një këmbë në finale të Europa League.
Të enjten mbrëma, në kuadër të ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës, Manchester Unitedi mposhti Romën me rezultatin 6:2.
Bruno Fernandes falë asistimit të Edinson Cavanit realizoi golin e parë në ndeshje për 1:0 në minutën e nëntë. Megjithatë, Lorenzo Pellegrini nga pika e bardhë në minutën e 15′ i barazoi shifrat.
Pellegrini ishte në rolin e asistuesit në minutën e 34′. Ai asistoi për boshnjakun Dzeko, që në “Old Trafford” realizoi golin e gjashtë në total në ndeshjen e pestë të luajtur në “Teatrin e Ëndrrave”.
Unitedi nuk u ndal dhe Cavani vendosi baraspeshë në rezultat tre minuta pas pushimit. Kësaj radhe, ndërroi rolet me Fernandesin.
Cavani e shënoi edhe golin e dytë personal në ndeshje në minutën e 64′. Golin e dytë personal në ndeshje dhe të katërtin për Unitedin e shënoi Fernandes në minutën e 71′.
Për golin e pestë u përkujdes Paul Pogba. Portugezi Fernandes harkoi bukur në zonë për të, e francezi nuk gaboi me kokë nga afërsia. Për golin e gjashtë u përkujdes zëvendësuesi Mason Greenwood, pas asistimit të Cavanit në minutën e 86′.
Ndeshja e radhës do të luhet në javën që vjen në Itali, në stadiumin “Olimpico”.