Mbrojtësi Raphael Varane do të jetë jashtë fushave për disa javë, pas lëndimit që e pësoi në fitoren e Francës në finale të Ligës së Kombeve kundër Spanjës, konfirmon gjigandi anglez Manchester United.
Trajneri i Francës Didier Deschamps u detyrua që ta zëvendësoj Varanen me mbrojtësin Dayot Upamecano para pjesës së parë, në fitoren 2:1 të Francës kundër Spanjës, përcjell KosovaPress.
Tani, Manchester United e konfirmon që mbrojtësi ka pësuar një lëndim në muskul të kofshës, dhe nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën për disa javë.
“Raphael Varane ka pësuar një lëndim në muskul të kofshës në finalen e Ligës së Kombeve dhe tani ka filluar rikuperimin me klubin. Ai do të mungojë për disa javë.
Po ashtu, ende nuk dihet për gjendjen e partnerit në qendër të mbrojtjes të Varane, dhe kapitenit të skuadrës Harry Maguire i cili nuk u paraqit në ndeshjet e United kundër Villarreal dhe Everton për shkak të lëndimit në muskul mbrapa këmbës.
Raportohet se Varane do të mungojë në ndeshjet e Manchester United kundër Leicester City, Liverpoolit, Tottenham e Manchester City dhe në dy ndeshjet kundër Atalantas në kuadër të Ligës së Kampionëve.