UBT News

UNESCO shpall malin Olimp Trashëgimi Botërore

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Pjesë e kësaj liste u bënë gjithashtu kryeqytetet e lashta japoneze, Asuka dhe Fujiwara, Peizazhi Migrator Boma-Badingilo i Sudanit Jugor, si dhe plazhet e zbarkimit të Luftës së Dytë Botërore në Francën Veriore.

Përpjekjet e Greqisë për Olimpin që prej vitit 2014

Me një lartësi prej 2.918 metrash, Olimpi konsiderohet në mitologjinë greke si froni i Zeusit, mbretit të perëndive, teksa njëkohësisht është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Evropë.

Prej vitesh, Greqia i ka kërkuar UNESCO-s përfshirjen e Malit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Aplikimi i parë u dorëzua në vitin 2014, duke u mbështetur si në rëndësinë e tij kulturore dhe mitologjike, ashtu edhe në vlerat e jashtëzakonshme natyrore.

Zona u shpall Parku i parë Kombëtar i Greqisë në vitin 1938, për shkak të peizazhit unik, që përfshin pyje të dendura, livadhe alpine, gryka, kanione dhe burime ujore, të gjitha shumë pranë bregdetit. Sipas Homerit, maja e Olimpit ishte “selia e të pavdekshmëve”, vendi ku Zeusi ushtronte pushtetin e tij.

Qyteti më i afërt me malin është Litochoro, vetëm pesë kilometra larg plazheve të Egjeut. Në vitin 1981, UNESCO e shpalli Olimpin Rezervë të Biosferës, ndërsa në vitin 2021 zona fitoi mbrojtje shtesë, duke u shpallur park kombëtar.

Vetëm vitin e kaluar, zona u vizitua nga rreth 500 mijë turistë, e tashmë autoritetet greke presin rritje të numrit të vizitorëve. Shkak për këtë rritje, nuk është vetëm futja e malit në Listën e Trashëgimisë Botërore, por dhe nga filmi “The Odyssey”, i regjisorit Christopher Nolan, një pjesë e së cilit u xhirua në shtetin fqinj.

Autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë fetare të kësaj zone, për shkak të një shenjtëroreje në një nga majat më të ulëta të malit. Besohet se kjo është shenjtërorja e përshkruar nga Plutarku në shekullin II pas Krishtit, ku kryheshin flijime në nder të Zeusit.

Në malin Olimp ndodhet edhe kapela ortodokse e krishterë në lartësinë më të madhe në botë, ndërsa në shpatet e tij gjenden manastire bizantine dhe objekte të tjera kulti./ RTM//A.K/

Exit mobile version