Arti i të luajturit, kënduarit dhe bërjes së lahutës, një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, është shpallur zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme.
I kultivuar ndër shekuj në zonat rurale, ky art lidhet ngushtë me Eposin e Kreshnikëve dhe baladat veriore, duke përcjellë vlera themelore si trimëria, besa dhe mikpritja.
Tradita është ruajtur brez pas brezi në krahina si Malësia e Madhe, Dukagjini, Rugova, Drenica, Plava e Gucia, ku lahutari ka qenë njëherësh këngëtar dhe kronikan i historisë gojore.
Përfshirja në UNESCO është rezultat i një procesi të gjatë dokumentimi të udhëhequr nga studiues të njohur dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe AADF.
Dosja u përgatit në bashkëpunim me komunitetet lokale dhe u dorëzua në mars 2024.
Ky vlerësim ndërkombëtar nënvizon rëndësinë e ruajtjes dhe transmetimit të lahutës te brezat e rinj, ndërsa Shqipëria riafirmon angazhimin për ta mbrojtur këtë pasuri dhe për të bashkëpunuar me Kosovën e aktorë të tjerë rajonalë për ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. /A.Z/UBT News/
