Shfaqja “Unë jam vetë grua” është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbrëmë, ndërsa do të vazhdojë të luhet edhe sot dhe nesër, duke filluar nga ora 20:00
Vepra sjell në skenë jetën e jashtëzakonshme të Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane që arriti të mbijetojë në dy prej sistemeve më shtypëse të shekullit të kaluar: nazizmin dhe regjimin e Stasit. Përmes një rrëfimi të fuqishëm dhe emocional, publiku përballet me sfidat, zgjedhjet morale dhe qëndrueshmërinë e individit përballë historisë.
E bazuar në intervistat e autorit Doug Wright dhe në autobiografinë e Charlotte-s, kjo shfaqje është vlerësuar ndërkombëtarisht, duke fituar çmimet prestigjioze Pulitzer dhe Tony.
Një element i veçantë i kësaj shfaqjeje është interpretimi i aktorit Adrian Morina, i cili sjell në skenë rreth 30 role të ndryshme, duke dëshmuar një transformim të jashtëzakonshëm artistik.
Shfaqja është shkruar nga Doug Wright dhe është vënë në skenë nën regjinë e Kushtrim Koliqit.
