UBT News

Ulpiana drejt një plani të qëndrueshëm konservimi

Dje ka nisur punëtoria dyditore për hartimin e Planit të Konservimit për lokalitetin arkeologjik Ulpiana Iustiniana Secunda, duke mbledhur përfaqësues institucionesh dhe profesionistë nga fusha e trashëgimisë kulturore, planifikimit hapësinor, turizmit dhe zhvillimit lokal.

Në hapje, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, theksoi rëndësinë institucionale dhe kulturore të Ulpianës dhe përkushtimin për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj.

Në vijim, drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, vuri në pah rëndësinë e këtij plani për ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e lokalitetit. Ndërsa drejtoresha e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama, theksoi dimensionin shkencor dhe potencialin kërkimor të Ulpianës, ndërsa nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti, nënvizoi lidhjen e komunitetit me parkun arkeologjik dhe rëndësinë e tij për zonën.

Punëtoria vijoi me sesione diskutimi dhe prezantimesh profesionale, ku u ndanë përvoja konkrete dhe modele të suksesshme ndërkombëtare në menaxhimin e lokaliteteve arkeologjike.

Ky proces zhvillohet në partneritet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe CHwB Kosova, me synim krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse për ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulpianës.

Exit mobile version