Lëndimet dhe problemet fizike nuk po e lënë Eden Hazardin të tregojë plotësisht potencialin e tij në klubin e tij të ëndrrave, Real Madrid. Belgu erdhi në “Bérnabeu” në verën e vitit 2019 nga Chelsea.
Në sezonin e tij të tretë në Real Madrid, Eden Hazard ka luajtur në 54 ndeshje, ku ka shënuar vetëm pesë gola dhe ka bërë gjashtë asistime.
Të gjitha këto kanë bërë që vlera e tij të ulet shumë që nga ardhja e tij në Real Madrid, nga 115 milionë euro sa u ble, tani vlera e tij sipas “Transfermarket” është 25 milionë euro, shifër kjo shumë e ulët për një lojtar të kalibrit të tij, përcjellë KosovaPress.
Tani, një ofertë e çuditshme për të vjen nga skuadra e kategorisë së dytë të Belgjikës, KVC Westerlo, presidenti i së cilës është mik i ngushtë i Eden Hazardit, siç konfirmoi ai në një intervistë për Het Nieuwsblad.
“Mendoj se mund ta konsideroj Eden Hazardin si mik. E njoha kur ishte në Lille dhe më premtoi se një ditë do të luante për Fenerbahçen. Për Westerlon është pak më e vështirë, por kurrë nuk i dihet. Ai mund ta përfundojë karrierën këtu”, tha presidenti turk i Westerlo, Hasan Cetinkaya.