Qeveria ka marrë vendim për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, në kuadër të masave për të lehtësuar shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor.
Nga sot deri më 30 shtator, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të ofrojnë ulje prej të paktën 15%, krahasuar me çmimet që kanë qenë në fuqi në qershor.
Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh, si çanta, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, plastelinë, flomasterë, markerë, tempera, furça, vizore, goma, mprehëse, gërshërë, futrola, ngjitëse, kompasë, kalkulatorë, dosje dhe materiale për punë praktike.
Sipas Qeverisë, tregtarët janë të detyruar të shfaqin përkrah çmimit të ri edhe çmimin e vjetër të produktit, të vlefshëm më 1 qershor 2026, në mënyrë që konsumatorët të mund të verifikojnë uljen.
Qeveria ka vlerësuar se kjo masë synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur shpenzimet për përgatitjen e fëmijëve për vitin shkollor janë më të larta./A.K/
