Të burgosurit e mbajtur në qendrat e improvizuara të paraburgimit në Ukrainën jugore u torturuan dhe u dhunuan seksualisht, tha të mërkurën një ekip ekspertësh ligjorë ndërkombëtarë.
Ekipi Mobil i Drejtësisë, i krijuar nga firma ndërkombëtare juridike humanitare Global Rights Compliance, punoi me prokurorët ukrainas të krimeve të luftës në rajonin e Khersonit që kur u rikthye në nëntor pas më shumë se tetë muajsh nën kontrollin rus.
Pas analizimit të 320 rasteve dhe rrëfimeve të dëshmitarëve në 35 vendndodhje në rajon, 43% thanë se kishin përjetuar tortura në qendrat e paraburgimit, duke përmendur dhunën seksuale si një taktikë të zakonshme të rojeve ruse.
Teknikat e torturës më të përdorura ishin zhytja në ujë, rrahjet e rënda dhe kërcënimet për përdhunim, zbuloi raporti i grupit.
Të paktën 36 viktima të intervistuara nga prokurorët përmendën përdorimin e goditjes elektrike gjatë marrjes në pyetje.
Personeli ushtarak kishte më shumë gjasa t’i nënshtrohej torturës nga rojet ruse, por në shënjestër ishin gjithashtu forcat e rendit, vullnetarët, aktivistët, udhëheqësit e komunitetit, punonjësit e mjekësisë dhe mësuesit.
Autoritetet ukrainase po shqyrtojnë më shumë se 97,000 raporte për krime lufte dhe kanë ngritur akuza kundër 220 të dyshuarve në gjykatat vendase./UBTNews/