Atelieja e stilistit ukrainas, Uzun Vitaliy së fundmi ka qenë e zënë me qepjen e jelekëve antiplumb dhe të rrobave për ushtrinë ukrainase, që po mbron vendin e saj nga sulmet ruse.
Uzun Vitaliy, i cili stilonte veshje për burra dhe gra para luftës, aktualisht po punon me punonjëset e tij për të prodhuar mijëra jelekë antiplumb për ushtarët ukrainas.
“Para luftës, kam qepur ekskluzivisht veshje për burra dhe gra, nga fustanet deri te xhaketat dhe palltot. Por, pasi filloi situata e padëshiruar në vend, gjendja e jashtëzakonshme, lufta, më duhej të përshtatesha shpejt dhe të ofroja të gjitha llojet e ndihmës për Forcat e Armatosura të Ukrainës”, tha Vitaliy.
Studioja e modës filloi me qepjen e të brendshmeve termike dhe më pas me jelekët antiplumb.
Me shtimin e makinerive të reja që mund të trajtonin materiale të forta, ata shpejt filluan të prodhonin atë që u duhej ushtarëve.
“Në këtë fazë, ne kemi prodhuar dhe dorëzuar rreth 2 500 jelekë. Prodhimi po rritet çdo ditë. Ne planifikojmë të dorëzojmë 1 500 deri në 2 000 copë të tjera deri në fund të javës së ardhshme”, thotë stilisti.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagim të ashpër ndërkombëtar dhe çoi në sanksione financiare kundër Moskës ndërsa nxiti edhe largimin e kompanive globale nga Rusia./AA/