Dmytro Sakharuk, drejtor ekzekutiv i kompanisë ukrainase të energjisë DTEK, thotë se pas valës së fundit të sulmeve me raketa ruse nuk është e mundur të thuhet se sa do të zgjasin ndërprerjet e energjisë.
Në varësi të dëmit, tha Sakharuk, ndërprerjet e energjisë “mund të zgjasin 6, 7, 8 orë”.
“Nëse dëmi është kritik dhe nuk ka rezervë tjetër të furnizimit me energji për konsumatorët, atëherë mund të zgjasë edhe më shumë. Duhet të jemi gati. Oraret që kemi bërë për ndërprerjet e energjisë janë 4-6 orë”.
Sakharuk i tha televizionit ukrainas, “Fatkeqësisht, ne kemi përdorur tashmë stokun e pajisjeve që kishim në magazinat tona pas dy valëve të para të sulmeve që kanë ndodhur që nga 10 tetori. Ne ishim në gjendje të blinim disa pajisje. Por për fat të keq, kostoja e pajisjeve tani matet në qindra miliona dollarë”.
“Ne jemi duke punuar në mënyrat për ta blerë ose marrë nga partnerët tanë. Ky është një problem për të gjithë inxhinierët e energjisë. Humbjet kumulative që nga dje janë qindra milionë dollarë për kompaninë tonë”./UBTNews/