UBT News

Ukrainasja e strehuar me 2 fëmijët në Shqipëri tregon jetën mes bombardimeve

Prej më shumë se 3 ditësh është strehuar familja e parë ukrainase në Shqipëri. Nënë me dy fëmijë, të cilët kanë arritur të shpëtojnë nga lufta e tmerrshme që po ndodh në Ukrainë.

Për emisionin “Mirëmëngje” Alena Kriachko tregon gjithë tmerrin që përjetoi së bashku me fëmijët në luftën për mbijetesë që nga dita e parë e bombardimit.

“Ditën e parë u shokova sepse shoqëria ime po më telefononte duke më thënë: a e dëgjove, a e dëgjove. S’po e kuptoja çfarë donin të thonin. Ne filluam të dëgjonim gjithë ato shpërthime. E gjysmë ore na u desh ta linim shtëpinë, paketova dy valixhet. E vetmja gjë që ishte përgatitur më parë ishin dokumentet, i vumë të gjitha në makinë. Fatmirësisht i kërkova djalit tim të ngas makinën, ishim gati për t’u arratisur nga vendi. Të ngisje makinën duke pasur gjithë ato bombardime nuk ishte fare e sigurt. Shkuam te një shtëpi tjetër në qendër të qytetit dhe qëndruam aty për 4-5 ditë. Qëndruam në qilar e më pas lart e më pas prapë poshtë. Nuk kishte dyqane, nuk mund të blinim asnjë ushqim”, tregoi ajo.

Gjithë këtë situatë po e përjeton më shumë vajza e saj 9-vjeçare e cila e ka të vështirë të kuptoi se çfarë po ndodh.

“Të them të vërtetën nuk e kuptoj as unë vetë çfarë po ndodh. Është e vështirë t’i shpjegoj asaj këtë. Sepse kur ajo shikon gjithë ato video, ato shkatërrime, ajo bën pyetje që unë nuk di si t’u përgjigjem”, tha Kriachko.

Alena, Sergi, Masha tani dihen të sigurt në vendin tonë, ndërsa thotë që arriti të strehohej përmes një miku në Shqipëri. Po ajo shpreson të shkojë në SHBA për një mundësi më të mirë për fëmijët e saj.

“Në fakt unë kam qenë këtu 20 vite më parë për ekskursion. Erdhëm këtu dhe jemi të lumtur që po rrimë këtu. Është vërtet e mrekullueshme në këtë vend, me këta njerëz. Kur mendon që të shpëtosh fëmijët e tua asgjë tjetër nuk ka vlerë”, u shpreh gruaja.

Alena është e shqetësuar për pjesën tjetër të familjes që ka lënë në Kharkiv.

“Në Kharkiv është shumë e vështirë tani, nuk kanë ngelur shumë miq më atje. Vetëm një ka mbetur dhe ajo mbron qytetin bashkë me burrin dhe vullnetarë të tjerë. Nëna ime disa ditë para luftës shkoi tek mama e saj 90-vjeçare dhe ajo do përkujdesje. Nuk ka mjaftueshëm ushqim dhe para në këtë qytet të vogël. Ndërsa janë 400 tanke ruse. Ata e rrethuan qytetin dhe fatmirësisht nuk e bombarduan familjen time. Vëllai im qëndron në Kharviv në një vend afër kufirit. Nuk është e sigurt atje. Por gjithsesi ai bën më të mirën”, tregoi ajo.

Vetë djali i saj tregon tmerrin që përjetoi, ndërsa po përpiqeshin për t’u larguar.

“Një shok i imi një ditë më parë dhe më pyeti nëse doja të shkoja me familjen e tij tek stacioni i hekurudhës. Ikëm nga shtëpia dhe shkuam të stacioni, kishte shumë njerëz. Punëtorët e stacionit na dhanë një vend të mirë për të qëndruar. Që andej shkuam pastaj në qendër të Ukrainës ku na pritën njerëz shumë mikpritës. Pastaj kaluam kufirin për në Sllovaki”, tha ai.

Ishte Flor Uka që i mundësoi strehimin e familjes nga Ukraina pas situatës të vështirë që po kalojnë këtë shtetas.

“Ishin në kërkim  të një destinacioni. Do i strehojmë për aq kohë derisa të shkojnë në Amerikë. Thjesht e panuam, kishim vend të lirë dhe i pranuam. Kanë pasur probleme me gjumin ditët e para”, tregoi ai./Euronews.al

Exit mobile version