Turqia ka qenë “më e suksesshmja” në ndërmjetësimin e konfliktit nga të gjitha vendet që janë ofruar të ndërmjetësojnë midis Ukrainës dhe Rusisë në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës, tha të mërkurën kryediplomati i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Ai i bëri këto komente ndërsa fliste në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër.
Takimi i delegacionit negociator rus dhe ukrainas në Stamboll të Turqisë ishte gjithashtu pika më e lartë në procesin e negociatave, tha Kuleba.
Duke vënë në dukje se procesi i negociatave dështoi pas takimit në Stamboll, Kuleba tha se as që e mban mend se kur u takua për herë të fundit grupi i punës që zhvilloi negociatat mes dy vendeve.
Takimi i parë dhe më i fundit i nivelit të lartë i ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, Kuleba dhe Sergey Lavrov, u zhvillua më 10 mars në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë, ndërsa më 29 mars, negociatorët nga të dyja vendet u takuan në Stamboll.
Ukraina asnjëherë nuk ka refuzuar të vazhdojë negociatat me Rusinë, tha Kuleba, por shtoi se ata kanë refuzuar të pranojnë “ultimatumet ruse”.
Kievi shumë herë ka thënë se është gati për negociata me Moskën./UBTNews/