Dronët kanë pasur ndikim të thellë në luftën në Ukrainë, ndërsa janë përdorur shumë nga të dyja palët.
Lëvizja e Kinës për ta kufizuar eksportin e dronëve ka ngritur shqetësimet se mund të ketë probleme me furnizime, raporton BBC-ja.
Shumica e dronëve të prodhuar në Kinë janë komercialë. Dhe furnizimet e reja janë jetike, pasi një numër i madh i tyre është humbur në luftë.
Por, ka indikacione për reduktim në numrin e dronëve kinezë dhe po ashtu pjesët që vihen në dispozicion për Ukrainën e Rusinë.
Sipas Institutit “Rusi”, think-tank me seli në Londër, Ukraina ka humbur rreth 10 mijë dronë brenda një muaji.
Grupet vullnetare kanë punuar duke shfrytëzuar donacionet për të ndihmuar që të mbushen depot ushtarake ukrainase.
Dronët komercialë po përdoren përkrah atyre të dizajnuara për qëllime ushtarake, si “Bajraktarët” turq nga Ukraina dhe “Shahedsat” iranianë nga Rusia.
Kufizimet e fundit të vendosura nga Qeveria e Kinës hyn në fuqi më 1 shtator. Ato vlejnë për dronë që peshojnë mbi 4 kilogramë, si dhe pajisjet e dronëve si disa kamera apo module të radiove.
Prodhuesit kinezë të pajisjeve të tilla tash duhet të aplikojnë për leje eksporti dhe të ofrojnë certifikata se ku do të eksportohen. Qeveria e Kinës , e cila ende nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, thotë se dronët komercialë kinezë nuk mund të përdoren për qëllime ushtarake.
Vullnetarët ukrainas dhe ushtarët thonë se kufizimet e fundit të Kinës deri më tash kanë pasur ndikim minimal në sasinë e dronëve në dispozicion.
Mirëpo, ata thonë se është prekur furnizimi me pjesë për dronë dhe po druhen se situata mund të përkeqësohet.
“Ndryshimi i vetëm tash është se po blejmë çfarëdo sasie që ka mbetur nëpër depot evropiane”, ka thënë Lyuba Shypovych, që drejton grupin “Dignitas”, një prej grupeve më të mëdha vullnetare ukrainase që furnizon ushtrinë me dronë. “Por, është e paqartë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen”.
Ajo është veçanërisht e shqetësuar për mungesën e pjesëve, përfshirë edhe kamerat termale.
“Pasi tash ditët po shkurtohen e netët po zgjaten, definitivisht ndikon tek ushtria jonë”, ka thënë ajo.
Pjesët janë veçanërisht të rëndësishme për ata që montojnë dronët e tyre apo përmirësojnë modelet e blera.
“Ndikimi po ndihet”, ka thënë një zyrtar i regjimentit “Kastus Kalinouski”. “Por, jemi duke shikuar alternativa për t’u përkujdesur që dronët tanë të punojnë si duhet”.
Është vetëm pengesa e radhës me të cilin po përballen vullnetarët që po merren me prodhim të dronëve, si për ushtritë e Ukrainës ashtu edhe të Rusisë.
Prodhuesi më i madh në botë i dronëve komercialë, kompania kineze DJI, ka ndaluar shitjet direkte për Rusinë e Ukrainën dy muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, u ndaloi distributorëve të saj nëpër botë që t’i shesin produktet e DJI-së te konsumatorët në Rusi apo Ukrainë.
Sipas Shypovychit, drejtuese e “Dignitas”, numri i dronëve kinezë që janë vënë në dispozicion për distributorët në Evropë ra dukshëm mes gushtit dhe shtatorit të vitit 2022.
“Nuk është e rastësishme. Shtetet evropiane janë vendet nga ku ukrainasit importojnë dronët”, ka thënë ajo.
Kontaktuar nga BBC, DJI nuk ka konfirmuar e as mohuar për ndonjë ndryshim për numrin e dronëve që janë vënë në dispozicion për distributorët në Evropë.
Asnjë nga 10 kompanitë që shesin produkte të DJI-së në Britani të Madhe nuk ka komentuar për BBC-në lidhur me këtë çështje.
Një hetim i “The New York Times” ka zbuluar se kompanitë kineze kanë zvogëluar në muajt e fundit shitjet e dronëve dhe pjesëve të dronëve për ukrainasit.
Por, nuk është prekur vetëm Ukraina.
Duke iu referuar ndalesave që hynë në fuqi më 1 shtator, gazeta ruse “Kommersant” ka thënë: “Kufizimet e vendosura nga autoritetet kineze në eksportin e dronëve kanë komplikuar seriozisht furnizimin e Rusisë dhe ka çuar në mungesë të disa pjesëve, si kamera termale”.
Në mungesë të furnizimit direkt, blerësit nga Rusia shpesh blejnë dronë kinezë nga shtetet si Kazakistani dhe sipas “Kommersant”, shteti në Azinë Qendrore ka forcuar edhe rregulloret e veta për importe të dronëve.
Për ta minimizuar ndikimin e kufizimeve kineze, vullnetarët ukrainas kanë qenë të zënë duke kërkuar alternativa në shtetet e tjera.
Anatoly Polkovnikov, që ndihmon në gjetje të dronëve, thotë se një start-up ukrainas po përgatitet të lansojë prodhimin e motorëve të dronëve.
“Nuk besoj se këto kufizime kineze do të kenë ndonjë ndikim në situatën e përgjithshme. Kam ndjesinë se në afatgjatë do të stimulojë prodhimin në Ukrainë”, tha Polkovnikov.
Lufta në Ukrainë është konflikti i parë i armatosur ku dronët janë përdorur në përmasë kaq të madhe.