Kombëtarja e Ukrainës në futboll do të vazhdojë të luajë në kualifikimet e Euro 2024 përkundër faktit se qeveria ua ndaloi ekipeve ukrainase pjesëmarrjen në gara ku përfshihen edhe sportistët nga Rusia dhe nga Bjellorusia, njoftuan nga shteti i përfshirë në luftë.
Kievi ua ndaloi pjesëmarrjen garuesve të tyre në garat olimpike, jo-olimpike dhe paralimpike pas pushtimit të tentuar rus ndaj Ukrainës, i mbështetur edhe nga fqinjët e Bjellorusisë.
Andriy Pavelko, kryetar i Federatës Ukrainase të Futbollit, e publikoi letrën që ia dërgoi UEFA-s ministri i sportit, duke konfirmuar se Kombëtarja do të marrë pjesë në kualifikimet e Euro 24 përkundër faktit se aty po merr pjesë edhe Bjellorusia.
“Kombëtarja e Ukrainës do të vazhdojë të marrë pjesë zyrtarisht në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024”, ka shkruar ai në Facebook.
Ukraina ka përfunduar në Grupin C së bashku me Anglinë, me Italinë, Maqedoninë e Veriut dhe me Maltën.
Kurse, Bjellorusia është në Grupin I bashkë me Kosovën, Zvicrën, Izraelin, Andorrën dhe Rumaninë.
Ukraina e humbi ndeshjen e parë nga Anglia me rezultat 0:2.
Kurse, loja e dytë e Ukrainës do të jetë në udhëtim kundër Maqedonisë së Veriut më 16 qershor.
Pas pushtimit rus që nisi në Ukrainë vitin e kaluar, të cilin Moska zyrtare e quajti si një operacion special militar, Rusia u përjashtua nga garat evropiane në futboll me vendim të UEFA-s.