UBT News

​Uka lirohet nga spitali: Kam thyer brinjët, rikthehem pas një muaji

Futbollisti i Prishtinës, Kreshnik Uka është operuar me sukses dhe tashmë është liruar nga spitali ku do të vazhdojë me rikuperimin e tij, edhe pse ka fare pak shpresë që ai të luajë ndonjë ndeshje të mbetur të këtij sezoni.

Uka ka thënë se ka thyer brinjët dhe ka dëmtuar mushkëritë dhe kjo do të bëjë që ai të jetë jashtë fushës për katër deri në pesë javë.

“Për momentin jam mirë, sot kam ardhur nga spitali, në QKUK jam trajtuar pas një lëndimi që pata në anën e majtë të brinjëve ku sipas analizave dhe rezonancave që i kam bërë në spitalin e Gjilanit më doli që i kam pasur një brinj të thyer dhe pak mushkëritë e dëmtuara. Ndërsa, menjëherë më kanë dërguar me ambulancë në Prishtinë dhe me kanë trajtuar duke e bërë një gjysmë operimi ku nga dita e mërkurë deri sot më kanë mbajtur aty, ndërsa sot më kanë liruar, kështu që për momentin jam mirë dhe po ndihem mirë. Sipas doktorëve dhe ekspertëve që kanë qenë në spital duku deri në katër apo pesë javë duhet pushim pastaj të fillojmë më stërvitje”, tha Uka.

Uka ka shtuar se do të dëshironte që të ishte në fushë për t’i ndihmuar bashkëlojtarët, por shprehet i bindur se fitorja ndaj Dritës në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës i ka motivuar lojtarët për të qenë në formë të lartë në ndeshjet e fundit të kampionatit, e sidomos për finalen e kupës kundër Ballkani.

“Normalisht dëshiroj të jem në fushë për t’iu ndihmuar lojtarëve, mirëpo besoj që loja me Dritën, gjysmëfinalja që arritëm të shkojmë në finale na jep motiv shtesë për këto ndeshjet e fundit në kampionat, ndërsa në finale me Ballkani presim që të fitojmë dhe të shkojmë në Evropë”, theksoi Uka.

Ndryshe, Prishtina synon që të dal në garat evropiane vetëp përmes Kupës së Kosovës, pasi në kampionat ka pak gjasa. Bardhekaltërit kanë 43 pikë në vendin e pestë, nëntë më pak se Malisheva e vendit të katërt.

Exit mobile version