Konfederata Evropiane e Futbollit do të zhvillojë më vonë gjatë kësaj jave një takim urgjent virtual me 55 federatat e saj anëtare për të shqyrtuar propozimet e FIFA-s, të cilat parashikojnë shitjen e aksioneve në garat më prestigjioze të futbollit botëror.
FIFA synon të krijojë një njësi të re tregtare që do të menaxhojë kompeticionet e saj kryesore, përfshirë Kupën e Botës, duke u hapur rrugë investitorëve privatë për të blerë aksione në këtë strukturë.
Plani ka nxitur shqetësime të mëdha, pasi ekziston frika se investitorët privatë mund të fitojnë ndikim të konsiderueshëm mbi organizimin dhe zhvillimin e këtyre garave. Nga ana tjetër, FIFA argumenton se modeli i ri do të gjenerojë më shumë të ardhura, të cilat do të shpërndahen në mënyrë më të gjerë te federatat kombëtare në mbarë botën.
Sipas BBC-së, UEFA ndërmori një hap të pazakontë duke reaguar publikisht ndaj planit të FIFA-s edhe përpara se ai të bëhej zyrtar. Pas raportimeve fillestare të publikuara nga Financial Times dhe The Times, qeveria evropiane e futbollit kritikoi ashpër propozimin, duke deklaruar se ai “ka kaluar kufirin”.
Takimi virtual i UEFA-s pritet t’u japë federatave anëtare mundësinë për të diskutuar qëndrimin e përbashkët dhe për të hartuar një plan veprimi përballë propozimeve të FIFA-s, raporton BBC.
D.L
