Konfederata Evropiane e Futbollit ka reaguar me tone të ashpra ndaj planit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të lejuar investime private në garat kryesore të futbollit botëror, duke e cilësuar këtë nismë si një kufi që nuk duhet të kalohet.
Infantino është përballur me kritika të shumta pas Kupës së Botës të zhvilluar në Amerikën e Veriut, ndërsa së fundmi akuzoi ata që, sipas tij, “me laps e letër” po përhapin thashetheme dhe informacione të pavërteta. Megjithatë, polemikat janë shtuar edhe më shumë pasi Financial Times dhe The Times raportuan se FIFA po shqyrton mundësinë e shitjes së aksioneve në operacionet e saj tregtare dhe organizative.
Më pas, FIFA konfirmoi se synon të krijojë një filial të ri, të quajtur FIFA Forward Enterprise, ku investitorët privatë do të kenë mundësi të blejnë aksione minoritare, pa të drejtë kontrolli mbi organizatën.
Sipas raportimeve, kjo njësi mund të arrijë një vlerë prej rreth 15 miliardë paundësh, ndërsa projekti synon të sigurojë 3.16 miliardë paund investime nga partnerë privatë për zhvillimin e kompeticioneve më të rëndësishme të FIFA-s.
Nëse plani miratohet, vendim që pritet të merret në Kongresin e FIFA-s në muajin mars nga 211 federatat anëtare, procesi i tërheqjes së investimeve private do të drejtohet nga Thrive Eternal, një kompani amerikane e kapitalit sipërmarrës, e themeluar nga vëllai i Joshua Kushner, kunatit të presidentit amerikan Donald Trump.
UEFA, megjithatë, e ka kundërshtuar fuqishëm këtë iniciativë, duke paralajmëruar se ajo cenon parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar futbolli.
“Kjo kalon një vijë që institucionet drejtuese të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. UEFA e merr këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht. Po ashtu duhet ta marrin seriozisht edhe federatat kombëtare, ligat, klubet, lojtarët, tifozët, qeveritë dhe të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e futbollit.”
Në deklaratën e saj, UEFA thekson se futbolli nuk mund të trajtohet si një aset financiar dhe kërkon transparencë të plotë për çdo nismë të tillë.
“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete që mund të tregtohen, veçanërisht kur nuk ka transparencë se kush përfiton financiarisht. Asnjëri prej nesh nuk është pronar i futbollit. Futbolli nuk është pronë e FIFA-s për t’u shitur”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Reagimi i konfederatës evropiane pritet të thellojë përplasjet mes dy institucioneve më të mëdha të futbollit botëror, ndërsa debati për të ardhmen e modelit të qeverisjes dhe financimit të këtij sporti po bëhet gjithnjë e më i fortë.
D.L
