Ndeshja kualifikuese e Ligës së Kampionëve ndërmjet AEK-ut të Athinës dhe Dinamo-s të Zagrebit të martën u shty pasi një tifoz futbolli u ther me thikë për vdekje në një përleshje.
Policia greke konfirmoi në një deklaratë se një person u ther me thikë për vdekje dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë një përleshje brutale mes tifozëve të AEK-ut dhe Dinamo-s në Nea Filadelfia, në periferi të Athinës të hënën vonë, shkruan Anadolu Agency.
Policia arrestoi 98 persona të përfshirë në sherrin gjatë natës. Në një deklaratë, Dinamo “dënoi ashpër” trazirat në Athinë.
Ndeshja e parë e Ligës së Kampionëve ndërmjet AEK-ut dhe Dinamo-s u shty nga UEFA, konfirmoi klubi kroat.
Ndeshja e dytë ndërmjet tyre ishte planifikuar fillimisht për 15 gusht në Zagreb.
Ose AEK-u ose Dinamo e Zagrebit do të përballen me Royal Antwerp të Belgjikës në fazën e play-off-it të Champions League.