Përballja e sotme në Ligën e Kampionëve mes Benficas dhe Juventusit do të jetë pa ndihmën e teknologjisë “goal-line” apo ndryshe teknologjisë së vijës së golit.
Lajmi është konfirmuar nga UEFA ku bëhet e ditur se ky ndryshim është si pasojë e problemeve teknike.
“Përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Benficas dhe Juventusit, nikoqirët – pa dijeninë e UEFA-s dhe furnizuesit të teknologjisë së linjës së golit të UEFA-s – urdhëroi punimet në ‘Estádio do SL Benfica’, gjë që e bëri sistemin e instaluar të teknologjisë së vijës së golit jofunksional.
“Fatkeqësisht, nuk do të jetë e mundur të zëvendësohet dhe instalohet një sistem i ri në kohë për ndeshjen dhe për këtë arsye ndeshja do të zhvillohet pa përdorimin e teknologjisë së vijës së golit sipas rregulloreve të UEFA Ligës së Kampionëve”, shkruante në komunikatën e UEFA-s.
Gjyqtari i ndeshjes së sotme në stadiumin “Da Luz” do të jetë serbi, Srdjan Jovanovic. Ky i fundit ka ndarë drejtësinë në vetëm një ndeshje të Juventusit, në humbjen 4:0 kundër Chelseat në “Stamford Bridge”.