UEFA do të mbajë këtë të enjte një takim urgjent online për të dhënë qëndrimin e saj përfundimtar lidhur me planin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për t’ua shitur investitorëve privatë një pjesë të aksioneve të organizimit të Kupës së Botës.
Sipas propozimit të Infantinos, 20 deri në 30 për qind e aksioneve të Kupës së Botës do të transferoheshin te investitorë privatë përmes një kompanie simotër të quajtur FIFA Forward Enterprise. Në këmbim të mbështetjes, FIFA u ka premtuar përfitime të konsiderueshme financiare të gjitha 211 federatave anëtare.
Afati i fundit për federatat që të japin përgjigjen e tyre është 19 shtatori, por UEFA pritet ta refuzojë zyrtarisht propozimin në mbledhjen e sotme.
“Kemi mësuar se FIFA ka vendosur një afat kohor për federatat që të mbështesin propozimet, përndryshe oferta për pagesën e njëhershme do të tërhiqet. Kjo është e gjitha që duhet të dimë rreth këtij plani”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Një nga temat që pritet të diskutohet gjatë takimit është edhe mundësia e ndërmarrjes së masave më të ashpra, përfshirë një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës, që do të nënkuptonte mos pjesëmarrjen e përfaqësueseve evropiane në turne.
Megjithatë, jo të gjitha federatat anëtare të UEFA-s ndajnë të njëjtin qëndrim. Federata e Futbollit e Republikës Çeke ka shprehur mbështetje për planin e FIFA-s.
“Ne shohim avantazhe pragmatike për futbollin çek”, ka deklaruar presidenti i federatës çeke, David Trunda.
Pavarësisht kësaj, pritet që UEFA të dalë me një qëndrim të qartë kundër planit të Infantinos, duke kundërshtuar përfshirjen e investitorëve privatë në organizimin e ngjarjes më të madhe të futbollit botëror.
D.L
