UEFA ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për të pezulluar zbatimin e dënimit automatik me një ndeshje për Folarin Balogun, duke e cilësuar atë si një precedent të rrezikshëm që cenon integritetin dhe besueshmërinë e futbollit.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria e futbollit evropian theksoi se pezullimi automatik pas një kartoni të kuq është një rregull i qartë, i parashikuar në rregullore dhe nuk mund të ndryshohet apo interpretohet gjatë zhvillimit të një turneu.
“Vendimi i djeshëm për të pezulluar për një periudhë prove prej një viti zbatimin e pezullimit automatik me një ndeshje pas kartonit të kuq të dhënë për Folarin Balogun kaloi një vijë të kuqe”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
Sipas saj, futbolli mbështetet te rregulla të qarta, të cilat garantojnë një garë të drejtë, të ndershme dhe transparente.
“Pezullimi automatik minimal me një ndeshje pas një kartoni të kuq nuk është një opsion diskrecional dhe nuk kërkon vendimin e një organi kompetent për të hyrë në fuqi. Është një parim i përfshirë në rregullore, që nuk mund t’i nënshtrohet përjashtimeve, aq më pak në mes të një turneu, kur lojtarë të tjerë kanë qenë në të njëjtën situatë dhe e kanë vuajtur rregullisht pezullimin”, thekson UEFA.
Shtëpia e futbollit evropian paralajmëroi se vendimi i FIFA-s mund të dëmtojë seriozisht besueshmërinë e garës dhe të krijojë një precedent për raste të ngjashme gjatë Kupës së Botës.
“Kur siguria e zbatimit të rregullave nuk garantohet më nga vetë kujdestarët e tyre, integriteti i lojës vihet në pikëpyetje dhe besueshmëria e një gare dëmtohet”, thuhet më tej në deklaratë.
UEFA shton se ky vendim hap rrugën që raste të ngjashme të kërkojnë trajtim të barabartë, gjë që sipas saj mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e turneut.
Në fund të reagimit, organizata evropiane shprehu habinë dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të FIFA-s.
“Futbolli është sporti më i dashur në botë sepse është një lojë e bukur dhe gëzon besimin e njerëzve, pasi luhet kudo sipas të njëjtave rregulla. Shprehim mosbesimin tonë për një vendim kaq të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, përfundon deklarata e UEFA-s.
D.L
