Për shkak të gjendjes së krijuar ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, raportohet se finalja e Ligës së Kampionëve e planifikuar të luhet në Shën Petersburg në fund të majit, mund të ndryshojë lokacion.
Hera e fundit që Rusia organizoi një finale kaq të madhe evropiane ishte në vitin 2008, kur Manchester United ngriti trofeun pas një fitoreje në penallti në stadiumin Luzhniki në Moskë.
Vendit transkontinental i është dhënë sërish e drejta e pritjes për finalen e këtij sezoni, por është raportuar se vendi i ndeshjes mund të ndryshohet për shkak të tensionit politik.
Finalja e Ligës së Kampionëve 2021-2022 është e planifikuar të zhvillohet në “Gazprom Arena” në Shën Petersburg, stadiumi i gjigantëve rusë Zenit. Por, është sugjeruar se Rusia nuk do të lejohet të organizojë finalen e Ligës së Kampionëve mes kërcënimit të luftës me Ukrainën.
Sipas vlerësimeve të SHBA-së, Rusia ka vendosur 150,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës gjatë muajve të fundit me urdhër të Presidentit Vladimir Putin.
Situata u përshkallëzua më 22 shkurt pasi Putin njoftoi njohjen e Luhanskut dhe Donetskut si shtete të pavarura dhe zhvendosi ushtarët në dy rajonet e kontrolluara nga rebelët.
UEFA ka konfirmuar se është duke monitoruar situatën, por Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport u ka bërë thirrje atyre që të veprojnë tani në dritën e lëvizjes së fundit të Putinit.
“Është diçka që duhet marrë parasysh duke pasur parasysh këtë akt të agresionit”, ka thënë kryetari i komisionit të përzgjedhur të DCMS, Julian Knight, për “Telegraph”.