Qeveria evropiane e futbollit i beson organizmin e një tjetër turneu të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit! UEFA Development Tournament U-16 për djem, turneu i pestë për këtë edicion të ri do të zhvillohet në Shqipëri nga data 2 maj deri më 9 maj, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e Federatës së Futbollit.
Përveç Shqipërisë U-16, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Moldavisë, Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe dhe të gjitha sfidat do të zhvillohen për herë të parë në fushat e futbollit në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
Kombëtarja shqiptare U-16 do të drejtohet në këtë turne nga trajneri Ervin Bulku dhe do të grumbullohet javën e ardhshme në Durrës, teksa të gjitha seancat stërvitore do t’i zhvillojë në kompleksin ‘Tropikal’, në prag të këtij turneu zhvillimor për këtë grupmoshë. Pas pak ditësh, trajneri Bulku do të shpallë edhe listën me lojtarët e grumbulluar për këtë turne.
Turneu do të fillojë më 2 maj, teksa takimi i parë do të jetë Ishujt Faroe – Azerbajxhan, që është planifikuar të luhet në ora 11:00, ndërsa Shqipëria do të përballet me Moldavinë në ora 17:00. Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më 4 maj, me Moldavinë që do të përballet me Ishujt Faroe në ora 11:00, ndërsa Shqipëri – Azerbajxhan është programuar të zhvillohet në orën 17:00. Ndeshjet e fundit të turneut do të luhen më 7 maj. Azerbajxhani do të luajë kundër Moldavisë në ora 11:00, ndërsa kuqezinjtë do të luajnë ndaj Ishujve Faroe në ora 17:00.
Ky nuk është turneu i parë zhvillimor për këtë vit të ri, teksa që prej muajit shkurt, FSHF ka organizuar disa turne evropianë. Jo vetëm zhvillimorë, siç ishte ai për vajza U-16 në fillim të muajit mars, por edhe ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian për vajza të grupmoshave U-17 dhe U-19, që janë zhvilluar në formën e mini-turneve, si edhe ndeshjet e fazës ‘Elite Round’ për djem U-17, ku Shqipëria u rendit ndër 23 ekipet më të mira në Evropë për këtë moshë.