UBT News

UEFA dënon Crvena Zvezdën me 99,500 euro pas ndeshjes ndaj Viktoria Plzenit

UEFA ka marrë masa disiplinore ndaj Crvena Zvezdës pas ndeshjes së Ligës së Evropës kundër Viktoria Plzenit, të zhvilluar më 20 gusht, të cilën skuadra serbe e fitoi me rezultat 3-0.

Në total, Crvena Zvezda është dënuar me 99,500 euro gjobë, ndërsa pjesa më e madhe e ndëshkimit lidhet me sjelljen dhe mesazhet e tifozëve në tribuna.

Gjoba më e lartë, prej 50 mijë eurosh, është vendosur për shfaqjen dhe transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive. Në mesin e parullave të shfaqura nga tifozët ishte edhe mesazhi Kosova është Serbi”, i cili u përfshi në masat disiplinore të UEFA-s.

Klubi serb është dënuar gjithashtu me 20 mijë euro për bllokimin e shkallëve të stadiumit, ndërsa për përdorimin e mjeteve piroteknike është vendosur një gjobë prej 9,500 eurosh.

Një tjetër ndëshkim prej 20 mijë eurosh lidhet me sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve. Për këtë shkelje, UEFA ka urdhëruar edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit, konkretisht sektorin 3 të tribunës veriore, në ndeshjen e ardhshme evropiane si vendas.

Megjithatë, kjo masë është pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh. Në rast se Crvena Zvezda kryen një shkelje tjetër gjatë kësaj periudhe, mbyllja e sektorit mund të aktivizohet.

Me këtë vendim, UEFA ka vendosur një ndëshkim të konsiderueshëm ndaj klubit serb, duke theksuar masat ndaj mesazheve të papërshtatshme, sjelljeve diskriminuese, bllokimit të shkallëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në stadium.

D.L

Exit mobile version