Në 36-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, krerët e institucioneve të Kosovës kanë pritur në një takim shtetëror delegatët e asaj legjislature, duke vlerësuar lart guximin dhe kontributin e tyre historik në rrugëtimin drejt pavarësisë.
Në pritjen e organizuar të enjten në Prishtinë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, shprehën mirënjohjen e thellë ndaj ish-deputetëve që sfiduan regjimin e atëhershëm pushtues serb.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, e pasuar nga Kushtetuta e Kaçanikut më 7 Shtator 1990, ishin dy akte që plotësuan njëra-tjetrën dhe institucionalizuan vullnetin e popullit për liri e barazi.
“Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë ndaj tyre. Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë për qëndresë paqësore e mandej edhe për luftë çlirimtare”, deklaroi Kurti.
Kryeministri shtoi se mbledhja historike 12-minutëshe në oborrin e Kuvendit i hapi rrugën çlirimit definitiv në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ai vuri në dukje se brezi i sotëm i politikanëve është plotësisht i vetëdijshëm se pa themelet e vitit 1990, shtetësia e sotme nuk do të ishte e mundur.
Takimi me protagonistët e vitit 1990 u cilësua nga krerët shtetërorë si një përpjekje e domosdoshme për të kultivuar traditën institucionale të njohjes së vlerave dhe historisë moderne të Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit, udhëheqësit dëgjuan kujtimet dhe detajet e delegatëve mbi rrethanat e jashtëzakonshme të kohës, kur Serbia po zbatonte një plan të hapur të aparteidit duke dëbuar shqiptarët nga puna, shkollat dhe institucionet publike. Pritja zyrtare u përmbyll me zotimin se trashëgimia politike e kësaj gjenerate do të mbetet pikë referimi për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/
