Filmi artistik “Udha e shkronjave”, një prodhim i vitit 1978 nga stafi i Radio Televizionit Shqiptar (RTVSH), ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë shqiptare, shkruan KultPlus.
Bazuar në tregimin “Buka dhe Thika” të Dhimitër Shuteriqit, filmi trajton një tematikë të thellë dhe patriotike. Ai rrëfen historinë e Mësues Dhaskal Todrit, një patriot që, duke sakrifikuar pasurinë dhe jetën e tij, sjell në Shqipëri një ngarkesë me shkronja tunxhi për krijimin e shtypshkronjës së parë në gjuhën shqipe.
Përmes këtij rrëfimi prekës, shfaqet kontrasti mes sakrificës sublime të patriotit dhe moskuptimit të një karvanxhiu të thjeshtë, ndërkohë që armiqtë e gjuhës shqipe ndërhyjnë për të ndalur këtë akt fisnik. Tragjikisht, Dhaskal Todri vritet para se të arrijë në vendlindje, duke u bërë simbol i përpjekjeve për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Në këtë kryevepër kinematografike interpretojnë disa nga aktorët më të njohur shqiptarë, përfshirë: Sandër Prosi, Bujar Lako, Ndrekë Luca, Agim Qirjaqi, Vangjo Grabocka, Muhamet Sherri, Luftar Pajo, dhe të tjerë.
Filmi gjithashtu përmban këngën e famshme “Kënga e Trimave”, e cila mbetet një simbol i qëndresës dhe dashurisë për kombin.
“Udha e shkronjave” është një kujtesë e fuqishme për sakrificat e bëra në emër të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe është një thesar i patjetërsueshëm për kinemanë dhe kulturën tonë kombëtare./UBTNews/