Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimit të partneriteteve akademike, Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Bekim Marmullaku, zhvilloi një takim me Rektorin e New University në Lubjanë, Prof. Peter Jambrek.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus të veçantë në krijimin e një asociacioni të përbashkët akademik, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe avancimin e aktiviteteve në fushën e kërkimit shkencor, mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin institucional përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në arsimin e lartë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin profesional dhe akademik të studentëve dhe stafit të të dy institucioneve.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërinstitucionale dhe zgjerimit të rrjetit ndërkombëtar të bashkëpunimit, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit të universiteteve partnere.
UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike me institucione prestigjioze të arsimit të lartë në Evropë dhe më gjerë, me synim krijimin e mundësive të reja akademike, shkencore dhe profesionale për studentët dhe stafin e tij.
