Në kuadër të programit Erasmus+ dhe angazhimit të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, përfaqësuese të UBT-së, Prof. Assoc. Dr. Alma Lama, dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Ass. Dr. Denis Celcima, dekane e Fakultetit të Psikologjisë, si dhe udhëheqësja e departamenteve të Dizajnit dhe Modës, Prof. Afërdita Statovci, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës në Kroaci, një nga institucionet akademike më të vjetra në Evropë, i cili këtë vit shënon 600-vjetorin e themelimit.
Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e universitetit, u prezantuan historiku, zhvillimi dhe arritjet e të dy institucioneve.
Delegacioni i UBT-së prezantoi rrugëtimin e institucionit që nga themelimi, programet akademike, fakultetet, procesin e ndërkombëtarizimit, partneritetet strategjike, si dhe pozicionimin e UBT-së në rangimet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Universiteti i Zarës prezantoi traditën e tij të pasur akademike, programet studimore dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Diskutimet u fokusuan në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet fakulteteve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike.
Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe konstruktive. Përfaqësuesit e Universitetit të Zarës shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me UBT-në, duke rekomanduar identifikimin e iniciativave konkrete, projekteve të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit që do t’i japin përmbajtje dhe qëndrueshmëri partneritetit të ardhshëm institucional.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira akademike.

