Një delegacion nga UBT ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Pázmány Péter Catholic University në Budapest të Hungarisë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor mes dy institucioneve.
Gjatë ditës së parë të vizitës, delegacioni i UBT-së — i përbërë nga Dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, prof. dr. Muhamet Gërvalla, si dhe ligjëruesit e Fakultetit të Mekatronikes Halil Ponik dhe Argjend Jetullahu — u prit nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku bëri një prezantim të institucionit dhe diskutoi mbi mundësitë e zgjerimit të partneritetit ndërinstitucional.
Më pas, u zhvillua një takim me Zëvendësdekanin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UBT-së dhe universiteteve të tjera vendore e ndërkombëtare, ku fokusi kryesor ishte identifikimi i fushave konkrete për projekte të përbashkëta.
Pjesë e veçantë e vizitës ishte edhe njohja me infrastrukturën kërkimore të universitetit hungarez. Delegacioni vizitoi pesë laboratorë të avancuar në fushat e teknologjisë informative dhe bioteknologjisë, ku u njoh nga afër me projektet aktuale kërkimore dhe aktivitetet shkencore në zhvillim.
Në përfundim të takimeve, të dyja palët u dakorduan për të intensifikuar bashkëpunimin në disa shtylla kryesore:
-
Mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve;
-
Zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe aplikative në kuadër të programeve ndërkombëtare;
-
Krijimin e mundësive për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës (PhD);
-
Shqyrtimin e mundësive për programe të përbashkëta studimi në nivelin Master;
-
Bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushat e Teknologjisë Informative dhe Bioteknologjisë.
Kjo vizitë shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin e rrjetit ndërkombëtar të UBT-së, duke hapur perspektiva të reja zhvillimi për studentët, stafin akademik dhe komunitetin kërkimor.

