UBT News

UBT vazhdon mbështetjen për maturantët: Mijëra nxënës ndjekin javën e dytë të programit përgatitor për Testin e Maturës 2026

Nxënësit e vitit të fundit të shkollave të mesme anë e mbanë Kosovës po vazhdojnë të ndjekin me interes të lartë programin intensiv përgatitor për Testin e Maturës Shtetërore 2026, i cili po organizohet në ambientet moderne të UBT-së.

Ky program tashmë ka hyrë në javën e tij të dytë, duke bërë bashkë qindra dhe mijëra nxënës të cilët synojnë të konsolidojnë njohuritë e tyre përpara këtij rrugëtimi të rëndësishëm akademik. Për t’u siguruar që studentët e së ardhmes të jenë sa më të gatshëm, trajnimet po fokusohen me përkushtim në lëndët kryesore si Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Matematikë, si dhe në lëndët kryesore zgjedhore si Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe Biologji.

Për t’u dalë në ndihmë të gjithë nxënësve dhe për të lehtësuar qasjen e tyre, UBT e ka shtrirë këtë program përtej kryeqytetit.

Përveç në Prishtinë, trajnimet përgatitore po zhvillohen paralelisht dhe me të njëjtin intensitet edhe në qendrat e UBT-së në qytetet e tjera përfshirë Ferizajn, Prizrenin dhe Pejën. Përmes angazhimit të kuadrove profesionale dhe stafit të përzgjedhur akademik të UBT-së, maturantët po marrin njohuritë e nevojshme, strategjitë dhe teknikat e duhura për ta kaluar me sukses këtë sfidë.

Ky organizim tradicional rikonfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të UBT-së për të ngritur cilësinë e arsimit dhe për t’i përkrahur të rinjtë në tranzicionin e tyre drejt studimeve universitare dhe karrierës profesionale.

Exit mobile version