UBT News

UBT uron 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë, UBT uron qytetarët e Republikës së Kosovës, shqiptarët dhe diasporën anembanë botës, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj dite dhe vlerat e lirisë e shtetndërtimit mbi të cilat vazhdon të ndërtohet e ardhmja e vendit.

Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 erdhi pas dekadash përpjekjesh dhe sakrifice, të mishëruara në rezistencën dhe flijimin e shumë dëshmorëve, në mesin e tyre familja e Adem Jashari nga Prekaz, e cila u bë simbol i qëndresës dhe lirisë. Sot, Kosova funksionon me institucione demokratike dhe me një rini që po kontribuon në afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky përvjetor është një moment reflektimi dhe përgjegjësie për të ardhmen e vendit.

“17 Shkurti na kujton se shteti i Kosovës u ndërtua mbi sakrificë, ndërsa e ardhmja e tij ndërtohet çdo ditë përmes arsimit cilësor, inovacionit dhe përkushtimit qytetar. Rinia jonë është dëshmia më e fuqishme e lirisë, një brez që duhet ta shndërrojë atë në zhvillim, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë,” u shpreh Rektori Hajrizi.

Ai theksoi se investimi në arsim, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm mbetet mënyra më e sigurt për ta fuqizuar shtetin dhe për ta shndërruar lirinë në mirëqenie dhe progres shoqëror.

Tetëmbëdhjetë vite pas pavarësisë, një gjeneratë e tërë është rritur në Kosovën e lirë, duke u bërë dëshmi e gjallë se sakrifica për liri ka marrë kuptim përmes ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe orientimit drejt vlerave euroatlantike. Në këtë ditë të shënuar, UBT rikonfirmon përkushtimin e tij për të kontribuar në zhvillimin e vendit përmes dijes, inovacionit dhe përgatitjes së brezave të rinj që do ta ndërtojnë të ardhmen e Kosovës.

Exit mobile version