Në një kohë kur gazetaria po transformohet me shpejtësi përmes teknologjisë dhe platformave digjitale, UBT vazhdon të dëshmojë lidershipin në arsimin inovativ, duke u krijuar studentëve të Fakultetit Media dhe Komunikim, si dhe nxënësve të UBT International Smart Schools, mundësi konkrete për zhvillim profesional përmes punëtorive ndërkombëtare.

Punëtoria “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, është një iniciativë e rëndësishme fuqizon të rinjtë me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social, duke i përgatitur ata për sfidat dhe mundësitë e medias moderne.
Kjo punëtori, e cila sjell punonjësit televizionit TRT në Kosovë, synon fuqizimin e të rinjve përmes njohurive bashkëkohore në gazetari, duke i pajisur ata me kompetenca që u nevojiten për të rrëfyer histori reale nga perspektiva rinore, për të komunikuar në mënyrë etike dhe për të përdorur mjetet digjitale si instrumente profesionale të informimit.
Në hapjen e kësaj punëtorie, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se investimi në dije praktike dhe inovacion është kyç për përgatitjen e gazetarëve të rinj. Ai vlerësoi këtë punëtori si një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së arsimit me trendet globale të medias dhe teknologjisë, duke krijuar mundësi reale zhvillimi për studentët dhe nxënësit e UBT-së.
Fjalën e morën edhe Ramazan Yılmaz, Koordinator i Institutit Yunus Emre, dhe Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi.
Dita e parë – fokus në bazat e gazetarisë dhe tregimin digjital
Në sesionin hyrës, studentët u angazhuan në modulin “Journalism 101”, ku u trajtuan konceptet bazë të gazetarisë, roli dhe përgjegjësia e gazetarit, rëndësia e raportimit të balancuar dhe fuqia e medias në shoqëri. Po ashtu, u zhvilluan sesione mbi storytelling-un, shkrimin kreativ dhe tregimin vizual të storieve, duke nxitur pjesëmarrësit të shprehin historitë e tyre në forma të ndryshme mediatike.
Fokusi gjithashtu u vendos te gazetaria mobile dhe puna në terren, ku pjesëmarrësit mësuan teknika intervistimi, xhirimi dhe editimi të videove përmes telefonit mobil, si dhe mënyrat e përshtatjes së përmbajtjes për rrjetet sociale dhe angazhimin e audiencës digjitale.
Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop” po organizohet nga UBT në bashkëpunim me TRT (The International News Channel of Türkiye) dhe Institutin Yunus Emre, dhe po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan.
