Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ofruar arsim cilësor, inovativ dhe të lidhur ngushtë me zhvillimet bashkëkohore të industrisë, studentët e Fakultetit Menaxhim i Patundshmërive dhe Infrastrukturë në UBT, në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme” në UBT, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha, patën mundësinë të mirëpresin në një ligjëratë të veçantë Arkitekt Msc. Fahrush Azemin, President i Kosovo Green Building Council.
Kjo ligjëratë profesionale solli para studentëve një perspektivë të avancuar mbi rëndësinë e arkitekturës së qëndrueshme në kontekstin global dhe lokal, duke u fokusuar në konceptet moderne të Passive Solar Design dhe Passive Houses. Përmes shembujve praktikë, përvojës profesionale dhe analizës së trendeve bashkëkohore, Azemi theksoi se projektimi inteligjent nuk është më vetëm alternativë, por domosdoshmëri për të ardhmen e ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Studentët patën rastin të mësojnë më shumë rreth integrimit të strategjive pasive në projektim, kursimit efikas të energjisë, reduktimit të ndikimit ambiental dhe krijimit të hapësirave që ofrojnë komoditet, efikasitet dhe qëndrueshmëri afatgjatë. Diskutimi gjithashtu vuri në pah sfidat reale që arkitektët dhe projektuesit përballen sot në implementimin e standardeve të gjelbra në ndërtim.
Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në përgatitjen e studentëve me njohuri të përditësuara, kompetenca profesionale dhe qasje direkte me ekspertë të industrisë, duke krijuar ura të forta mes akademisë dhe praktikës.
