UBT News

UBT shënon Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë: Kërkohet vetëdijesim dhe zbatim i standardeve evropiane

Me qëllim të adresimit të sfidave kritike në mjediset e punës dhe rritjes së vetëdijesimit institucional, UBT ka organizuar një konferencë shkencore dhe panel diskutimi për nder të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Në këtë ngjarje, përfaqësues të qeverisë, odave profesionale dhe akademisë, analizuan faktorët që po çojnë në pasiguri fizike dhe aksidente fatale, duke kërkuar zbatim strikt të standardeve ndërkombëtare.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, hapi diskutimin duke vënë në dukje hendekun mes legjislacionit evropian dhe kulturës së sigurisë në Kosovë. Ai sqaroi se ndonëse Bashkimi Evropian ka agjenci dhe standarde strikte për këtë fushë, në Kosovë kjo ende nuk është përpunuar si lloj kompetence profesionale.

Sipas Hajrizit, është e domosdoshme që siguria dhe shëndeti të trajtohen si kushte prioritare në çdo vend pune. Ai ngriti pyetjen nëse numri i lartë i aksidenteve vjen si pasojë e dështimit të proceseve, mungesës së kompetencave apo nivelit të ulët të vetëdijesimit, duke shtuar se “Definitivisht kemi një numër të rasteve që janë vështirë të pranueshme, qoftë me aksidente fatale, qoftë me aksidente të llojeve të tjera”.

Shqetësimin për përkeqësimin e situatës në terren e ndau edhe Binak Beqaj, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor. Ai u shpreh i habitur se si krahas konsolidimit ligjor dhe institucional, shifrat e aksidenteve mbeten në rritje, gjë që sipas tij tregon se diçka nuk po funksionon siç duhet.

Beqaj veçoi mungesën e kujdesit në punishte dhe mospërdorimin e duhur të makinerive si shkaktarë kryesorë.

“Faktorët kryesorë lidhen me mosrespektimin e standardeve për sigurinë fizike, sidomos në fushën e ndërtimtarisë, siç është pasiguria në punishte dhe moskujdesi gjatë përdorimit të makinerive”, u shpreh ai.

Mbi rolin e institucioneve dhe ndryshimet legjislative foli Avni Zogiani, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai bëri të ditur se monitorimet e shtuara gjatë fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025 kanë treguar një ndryshim pozitiv në uljen e rasteve fatale, por theksoi se sektori i ndërtimit mbetet më i ekspozuari.

Zogiani njoftoi se ministria është duke punuar në ligjet e reja për ndërtimin dhe planifikimin hapësinor, duke kërkuar angazhim më të madh nga odat e profesionistëve.

“Odat dhe forumet e profesionistëve do të duhej t’i kushtonin më shumë kohë këtij diskutimi rregullativ në fushën e sigurisë dhe të jenë bartëse të aktiviteteve për rregullimin e kësaj fushe”, deklaroi Zogiani.

Ndërkaq, Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, u fokusua te specifikat teknike të rrezikshmërisë, duke kujtuar se jeta e punëtorit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër industrial.

Ai përmendi rreziqet e larta që vijnë nga punët në lartësi, gërmimet e thella dhe përdorimi i skelerive, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Rapuca potencoi se: “Parimi bazë, edhe në Ligjin e Ndërtimit edhe në ligjin e odave, është që prioriteti kryesor të jetë shëndeti dhe siguria e punëtorit”.

Në përmbyllje të diskutimeve, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla që bashkojnë akademinë me industrinë.

Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë është kyç për të trajtuar tema thelbësore si siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve që ta trajtojnë këtë fushë jo vetëm si detyrim ligjor, por si një vlerë njerëzore dhe profesionale.

 

Exit mobile version