UBT News

UBT qëndron krah UÇK-së dhe luftës së drejtë për liri e pavarësi

UBT do t’i bashkohet mbështetjes për marshin qytetar “Jo në emrin tim”, i cili do të organizohet të enjten, më 1 tetor 2026, nga ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Marshi “Jo në emrin tim” vjen si një zë i qytetarëve që kundërshtojnë vendimin e dhënë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe që kërkojnë të mos harrohet konteksti i një lufte të zhvilluar për liri, pavarësi dhe dinjitet.

Për UBT-në, 1 Tetori mbart një simbolikë të veçantë në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë. Më 1 tetor 1997, studentët u ngritën në një protestë paqësore kundër represionit dhe dhunës, duke e kthyer protestën studentore në një prej momenteve më të rëndësishme të rezistencës qytetare shqiptare të asaj periudhe.

Kjo datë shënon një kapitull të rëndësishëm të një rezistence që ndër vite mori forma të ndryshme, nga protestat studentore dhe rezistenca paqësore, te mobilizimi qytetar dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto zhvillime janë pjesë e historisë së përpjekjes së popullit shqiptar të Kosovës për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar i lirë.

Në këtë 1 Tetor, UBT qëndron krah UÇK-së dhe pranë kujtesës së rezistencës shqiptare, duke e konsideruar të rëndësishme që brezat e rinj të njohin dhe të ruajnë kujtesën për periudhat dhe ngjarjet që kanë përcaktuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

Exit mobile version