UBT News

UBT pjesë e Konferencës së Turizmit dhe Mikpritjes: theks mbi zhvillimin ekonomik dhe trashëgiminë kulturore

Përfaqësues të Fakultetit të Turizmit në UBT, Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj dhe Prof. Fatmire (Shala) Dreshaj, morën pjesë në Konferencën e Turizmit dhe Mikpritjes, e organizuar nga EDUCO – Kontur III në Prizren.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj prezantoi punimin shkencor me temën “Roli i Turizmit të Qëndrueshëm dhe Eko-Turizmit në zhvillimin ekonomik”, në bashkëautorësi me Prof. Fatmire (Shala) Dreshaj. Prezantimi vuri theksin në rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm dhe eko-turizmit si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik, ruajtjen e mjedisit dhe avancimin e mirëqenies së komuniteteve lokale.

Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërmjet profesionistëve, studiuesve dhe akterëve të fushës së turizmit dhe mikpritjes, duke nxitur dialogun mbi zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori në Kosovë dhe rajon.

Përveç prezantimeve akademike, pjesë e konferencës ishte edhe promovimi i trashëgimisë kulturore, ku u prezantuan veshjet tradicionale nga rajoni i Prizrenit, duke përfshirë:

  • zanatin e filigranit,
  • grimin tradicional të nuses nga Zhupa,
  • veshjet tradicionale nga rajoni i Zhupës dhe Hasit.

Këto prezantime theksuan lidhjen e fortë ndërmjet turizmit, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke e bërë trashëgiminë kulturore një element të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Exit mobile version